Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Bukoshi: Shëndeti i nënave dhe fëmijëve është segmenti kryesor i një popullate

Ministri Bukoshi, duke inkurajuar bashkëpunimin global në këtë fushë, ka përshëndetur edhe pjesëmarrjen e mjekëve nga Graçanica në konferencë duke theksuar se “misioni i Ministrisë së Shëndetësisë është mbi politikën”, ndërkohë që ka theksuar se përmirësimi i indikatorëve për shëndetin e nënave, fëmijëve dhe adoleshentëve, kërkon një plan energjik dhe të koordinuar të shumë sektorëve, në kohën kur shëndetësia kosovare ka para vetes shumë sfida.

Dr. Shefqet Lulaj, kryetar i SHOGJK dhe kryetar i Komitetit Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, tha se reduktimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës është prioritet , konkretisht në komunitetin e grave dhe fëmijëve. Ai ka prezantuar statistika mbi gjendjen perinatale 2000-2009 në Kosovë, ku ndër të tjera vërehet një rënie e ndjeshme e natalitetit dhe rritje e lindjeve me prerje cezariane, ndërkohë që vdekshmëria perinatale ka shënuar rënie.

Kryetari i Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve të Britanisë së Madhe, profesori Sabaratnam Arulkumaran tha se kjo konferencë interaktive midis profesionistëve të Britanisë së Madhe dhe atyre kosovarë do të ketë impakt në zhvillimin e njohurive për implementimin e programeve moderne për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve.

Këtë bashkëpunim interaktiv të kësaj konference, e kanë përshëndetur edhe  Zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore në Kosovë, Anna Jackson, shefi i Zyrës së Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, në emër të Agjensioneve të OKB-së në Kosovë, ka përshëndetur Doina Bologa (UNICEF-OBSH-UNFPA) si dhe përfaqësuesi i USAID-it, Joze Garzon.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër e pasnesër me tema që trajtojnë aspekte të shëndetit të gruas e fëmijës, shëndetin material  dhe perinatal, si dhe do të organizohen kurse trajnuese për kolonoskopi, modalitetet e trajtimit të infertilitetit, kontracepcionin dhe shëndetin reproduktiv, zhvillimin e udhëzuesve dhe protokolleve, të cilat u përgjigjen nevojave vendore në Kosovë, etj.