Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ferid Agani e vlerëson dinamike dhe përmbajtësore punën njëqind ditëshe në MSH

“Këtë periudhë kohore do ta cilësojë si një periudhë shumë dinamike, përmbajtjesore, me shumë sfida, të arritura, jashtëzakonisht shumë punë, por edhe probleme të mëdha në segmente të ndryshme, veçanërisht në nivelin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, konkretisht në sektorin e furnizimit me barna dhe pajisjet dhe materialin shpenzues medicinave”, tha Ministri Agani në një konferencë për media, të mbajtur sot, gjatë të cilës ai ka shpalosur punën në Ministrinë e Shëndetësisë që prej marrjes së mandatit të tij.
Megjithatë, ka theksuar Ministri, përkundër të gjitha vështirësive të mëdha me të cilat është ballafaquar Ministria, janë arritur edhe rezultate konkrete, shpresëdhënëse, janë rezultate të cilat në një mënyrë hapin rrugë për procese të mëtutjeshme reformuese në sektorin e shëndetësisë, ndryshimin e realitetit”.
“Të gjithë e dimë se me problemet, të cilat i ka trashëguar shëndetësia kosovare pas luftës dhe me nivelin e financimit në sistemin shëndetësor është shumë vështirë që të priten ndryshime të shpejta brenda natës, njëkohësisht është edhe fakt se MSh-së ka arrit që brenda një periudhe të shkurtër kohore të shtrojë një perspektivë të qartë se në çfarë drejtimi do të zhvillohet sistemi shëndetësor i vendit, kah gjenden zgjidhjet më adekuate të cilat do të sigurojnë shërbime sa më cilësore për qytetarët”, theksoi Ministri duke shpalosur pastaj rezultatet e punës së tij dhe të Ministrisë gjatë njëqind ditëshit të kaluar.
“…Në radhë të parë isha përqendruar në fushën e legjislacionit, pra reformës së ligjeve sistemore në sektorin e shëndetësisë, Ligjin e shëndetësisë, Ligji për sigurime shëndetësore dhe Ligjit të Barnave dhe Pajisjeve medicinale. Veçanërisht dy ligjet e para në të cilat është punuar në mënyrë intensive nga grupet punuese të ngritura nga ana ime dhe tash sot konkretisht kanë përfunduar punën edhe grupet ngritura nga Zyra e Kryeministrit, pra edhe faza e dytë e elaborimit ka përfunduar. Mendoj se këto dy ligje me përmbajtjen e tyre e shtrojnë një proces të reformës para nesh shtrojnë detyrime ligjore , të cilat jam i bindur se do shënojnë një ndryshim të qartë ndërmjet të së kaluarës dhe të ardhmes së shëndetësisë kosovare”, theksoi Ministri Agani.
Arritja e dytë gjatë kësaj periudhe 100 ditore, të cilën e theksoi Ministri Agani, është nënshkrimi i Kontratës Kolektive Sektoriale të Shëndetësisë me FSSHK-së, si një arritje e cila e dëshmon rikthimin e besimit të punëtorëve shëndetësor në MSH-së dhe anasjelltas dhe vendosjen e një dialogu social të mirëfilltë, i cili për synim kryesor e ka ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.
“Vetëm me një partneritet konstruktiv ndërmjet MSh-së dhe punëtorëve shëndetësor mbi bazën e një sistemi legjislativ bashkëkohor shëndetësinë kosovare e vë në parimet e ekonomisë së tregut, gjithnjë duke e respektuar specifikat e sektorit të shëndetësisë mund të shpresojmë në ndryshime pozitive dhe unë jam shumë i kënaqur se ne të parët në Kosovë në njërin prej sektorëve të jetës shoqërore kemi arritur të nënshkruajmë këtë kontratë kolektive dhe njëkohësisht këtë kontratë ta mbështesim në burime reale, të cilat do të mundësojnë që më mos të kemi probleme çfarë kemi pas deri më tani me financimin e punëtorëve shëndetësor veçanërisht punës shtesë dhe punës dhe punës gjatë natës dhe kujdestarive”, tha ai.
Si arritje tjetër evidente, Ministri Ferid Agani, theksoi kursimet e jashtëzakonshme të cilat Ministria ka arritur t’i bëj në tre muajt e parë të qeverisjes dhe prej fillimit të vitit 2011.
“Dua ta theksoj faktin se vetëm në procesin e blerjes së medikamenteve të barnave të caktuar të cilat janë këtu të numëruara në 28 artikujt të veçantë në furnizimin, ne furnizimin për dializë, në furnizimin me tre artikuj citostatikë, më tetë artikuj të tjerë dhe ku përfshihen një bar dhe 7 lloje të materialeve materiale harxhuese, pastaj furnizimi më tepër interferon edhe në 16 artikuj të tjerë citostatikë janë kursyer 2 milion e 741 mijë e 97 euro, pra flasim për kursim, i cili është realizuar duke blerë sasinë e njëjtë të barnave, të llojit të njëjtë krahasuar me periudhën 2009-2010, bëhet fjalë për një kursim të jashtëzakonshëm i cili neve do të na mundësojë që me këtë buxhet të vogël që kemi për furnizim me barna dhe material harxhues të provojmë t’i plotësojmë edhe disa nevoja të mëdha të popullatës sa i përket disa sëmundjeve më të rralla, por të cilat janë të shtrenjta për trajtim”, theksoi Ministri.
Ai e ka vlerësuar si arritje të madhe edhe bashkëpunimin me shoqatat profesionale në vend, të cilat nesër do të paraqesin themelin e Odave të profesionistëve shëndetësor, të cilat me Ligjin e ri të shëndetësisë parashihet të fillojnë të punojnë prej 1 janarit të vitit 2012
Ministri Agani ka folur edhe për vizitat e realizuara jashtë vendit dhe vizitat e shumë ambasadorëve e personaliteteve nga fusha e shëndetësisë që janë bërë në MSh, tejkalimin e problemeve me Fondin Global , hartimin e Strategjisë antimikrobiale për luftimin e baktereve të cilat janë antibiorezistente, pastaj kthimin e besimit të donatorëve për shëndetësinë kosovare si dhe shumë punë që janë në proces, si zhvillimi në bashkëpunim me OBSh-në i  Strategjisë për shërbime emergjente në vend, pastaj Strategjisë për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes së kancerit dhe përpilimin e regjistrit të kancerit, fillimin e punës në Strategjinë ndaj sëmundjeve të rralla, etj.
“Po ashtu, në drejtim të ndryshimit të raporteve brenda sektorit të shëndetësisë është arritur që të nënshkruajmë edhe kontratat e para me institucionet private shëndetësore në vend, si shprehje e besimit të MSh-së në sektorin privat”, tha Ministri Agani, duke numëruar pastaj edhe problemet e ndryshme të cilat e kanë përcjellë sektorin.
“Ndër problemet më serioze që kemi pas kanë qenë ato të cilat kanë pasur të bëjnë me fuqizimin e kapaciteteve administrative të Ministrisë, pastaj edhe zhvillime tejet të pakëndshme në kohën e fundit kur kemi pasur edhe situatën e kërcënimit me jetë të Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së, që i ka ra një ngarkesë e veçantë e Ministrisë dhe na ka sjellë në një situatë të rëndë, sepse implikimet e kësaj ngjarje janë të shumëfishta dhe shtrihen në segmente të ndryshme të punës së Ministrisë…”, tha Ministri Agani, duke theksuar se  Ministria ka pasur në të kaluarën shumë hipoteka, të cilat japin refleksionet e tyre edhe në punën e tanishme.
Ministri është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve dhe ka konkluduar se Ministria është në vlug të shumë punëve dhe zgjidhjes së shumë problemeve disa prej të cilave janë çështje ditësh e javësh të zgjidhen, pasi që, siç theksoi Ministri Agani, “pritjet e qytetarëve janë të mëdha dhe Ministria e kë për obligim që të punojë për ta”.