Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ferid Agani nisi punën në krye të Ministrisë së Shëndetësisë

Ministri Agani është njoftuar nga Zëvendësministri Vujoviq dhe Sekretari Tolaj për punët që janë në proces në sektorin shëndetësor, vështirësitë dhe të arriturat, ndërkohë që është shprehur optimist se tani është momenti që përfundimisht shëndetësisë t’i kushtohet një vëmendje serioze dhe të tejkalohen disa probleme që e mundojnë një kohë të gjatë sistemin.

Ministri u shpreh i bindur se në MSH do ta këtë përkrahjen e plotë edhe të shërbimit civil të Ministrisë një pjesë të madhe të cilit i kishte bashkëpunëtorë në periudhën 2002-2004 sa ka punuar në MSH për ndryshime pozitive dhe theksoi se prioritete i tij në muajt e parë do të jetë miratimi i dy ligjeve shumë të rëndësishme: Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore dhe revidimin e Ligjit për Shëndetësi.

Shumë prej ideve dhe koncepteve të tij për shëndetësinë, ai tha se tashmë janë inkorporuar në Programin e Qeverisë së re të Kosovës, me përkrahjen e së cilës, Ministri Agani, vlerësoi se shëndetësia mund të bëjë hapat e nevojshëm pozitiv.

“Sigurisht, do të jetë një rrugë e vështirë, por unë jam i përkushtuar për ta bërë këtë bashkë me bashkëpunëtorët dhe stafin civil të Ministrisë së Shëndetësisë”, theksoi ministri Ferid Agani.