Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, z. Stojan Karajanov.
Ky takim ishte në funksion të përgatitjes së vizitës zyrtare, të cilën ministri Agani do të realizojë në Maqedoni, më 14 mars 2011.
Ambasadori Karajanov i përcolli ministrit kosovar urimet e Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë, Dr. Bujar Osmani, për emërimin e Dr. Aganit Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës, e cila do të realizohet javën tjetër në Shkup, Ministrat Agani dhe Osmani do të bisedojnë për dinamikën e realizimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë në lëmin e Shëndetësisë dhe të Medicinës.