Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ferid Agani takoi Ambasadoren e Turqisë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, priti sot në një takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Songul Ozan.

Në këtë takim, ministri Agani ka pranuar urimet e Ambasadores për detyrën e Ministrit të Shëndetësisë dhe e ka falënderuar Republikën e Turqisë për kontributin e dhënë në shëndetësinë kosovare dhe për Kosovën në përgjithësi.

Ministri Agani e ka njoftuar Ambasadoren Songul për sfidat e shëndetësisë kosovare, preokupimet dhe prioritetet e MSh-së dhe ka shprehur përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve mike, posaçërisht midis institucioneve shëndetësore të Turqisë dhe të Kosovës.

Republikë e Turqisë është një prej kontribuuesve më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë në Kosovë me donacione dhe asistencë teknike e profesionale dhe një prej vendeve që ka trajtuar një numër të madh të pacientëve kosovarë falas në institucionet shëndetësore të këtij shteti për ato shërbime shëndetësore që ende nuk janë funksionale në shëndetësinë kosovare.