Pas takimit, Ministri Agani deklaroi për media se në takim është biseduar për disa probleme dhe nevoja specifike me të cilat ballafaqohen qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, e që kanë të bëjnë me specializimet në mjekësi, nevojën e njohjes së dokumentacionit që lëshohet në Prishtinë e Tiranë nga institucionet e Serbisë dhe çështje të tjera që lidhen me shërbimet jetësore.
Ministri Agani tha se MSH do të bëjë mundur lehtësimin e procedurave për specilizimet e kandidatëve nga Lugina dhe në fushën e zhvillimit të edukimit të vazhduar profesional, ndërkohë që theksoi se si pasojë e vakumit politik që ekziston midis Kosovës e Serbisë, qytetarëve nga Lugina nuk u janë njohur nga Serbia dokumentet e shkollimit në Kosovë apo në Shqipëri, dhe kjo , theksoi ministri Agani, duhet zgjidhur e tejkaluar.
Kryetari i PVD-së, Riza Halimi , tha se në takim është biseduar edhe për temat që do të jenë pjesë e dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe shprehu bindjen se do të ketë veprime konkrete për të eliminuar disa probleme si janë njohja e dokumentacioneve dhe liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës edhe në Serbi që është shumë e rëndësishme.
Pranimi reciprok i dokumentacionit midis Kosovës e Serbisë do të zgjidhte shumë probleme të veçanta, tha Riza Halimi, sipas të cilit, bisedat midis Kosovës e Serbisë, do të duhej të ndihmonin Luginën e Preshevës që të nxirret nga getoja ekonomike e kulturore.