Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi dhe shefi i UNICEF-it Wedening inkurajojnë nënat që t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri

Ministri Gashi, gjatë vizitës që i kanë bërë edhe njësisë së Maternitetit i ka inkurajuar nënat e reja që t’i ushqejnë me qumësht gjiri fëmijët e lindur të tyre, ndërsa ka theksuar se Ministria ka kërkuar në Ligjin e ri për shëndetësinë që pushimi i lehonisë të jetë një vjet. Ai ka thënë se falë punës së mirë të profesionistëve të Klinikës Gjinekologjike, vdekshmëria e nënës dhe foshnjës në këtë klinikë është zvogëluar për 2/3, ndërsa ka shtuar se Ministria do të zhvillojë politika që  promovojnë mbrojtje sa më të mirë për nënat dhe foshnjat kosovare.

Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Johanes Wedening, tha se është shumë e rëndësishme që nënat të ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht të gjirit për të siguruar kështu një fillim të shëndetshëm të jetës.

Kurse, drejtori i KGJO-së, Shefqet Lulaj, tha se me një përkushtim të madh në këtë klinikë është uluar shkalla e vdekshmërisë së nënës dhe fëmijës, ndërsa, synim, tha ai, mbetet ulja edhe e sëmundshmërisë, në mënyrë që Kosova të krahasohet me vendet e Evropës.

Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit që sivjet temë ka:  “Të përkahim të ushqyerit me gji – a jeni ju të gatshëm”, thërret përpiluesit e politikave, vendim marrësit, punëtorët shëndetësor, anëtarët e familjeve dhe komunitetit për të siguruar kushtet adekuate që nënat të ushqejnë ekskluzivisht fëmijët me qumësht gjiri.

Në Kosovë, shkalla e të ushqyerit ekskluziv me qumësht të gjirit për foshnjat deri në 6 muaj është vetëm 12%, ndërsa deri në 4 muaj është 16% (MNSS 2001).

Në bazë të hulumtimeve të ndryshme, të ushqyerit optimal gjatë dy viteve të parë të jetës, e posaçërisht nëse foshnjat ushqehen vetëm me qumësht gjiri gjatë 6 muajve të parë të jetesës, kjo mund të shmangë nga 12 deri në 15% të vdekshmërisë të fëmijëve nën 5 vjeç në vendet në zhvillim.