Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi hapi procesin e vaksinimit kundër A H1N1 në Kosovë

Bashkë me ministrin, për ta hapur simbolikisht këtë proces të ri preventiv kundër Gripit A H1N1 në Kosovë, vaksinën kundër këtij gripi e kanë marrë edhe shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla, drejtori i Qendrës Kombëtarë për Grip në IKSHP Xhevat Jakupi, drejtori i Departamentit të Informimit në MSH dhe dy kameramanë të televizioneve nacionale.

Ministri Gashi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që në respektim të rekomandimit të Komitetit Nacional të Kosovës për Sëmundje ngjitëse, të vaksinohen, duke thënë se Kosova po i zbaton të gjitha masat e OBSH-së për pandeminë dhe në këtë aspekt, duhet besuar edhe në efektin preventiv të vaksinës.

“Gripi nuk fal, prandaj, duhet që të gjithë të mbrohemi dhe një nga mënyrat më të mira për t’u mbrojtur është vaksina”, tha ministri Gashi.

Ai ka thënë se nuk ka nevojë që mantelbardhët të hezitojnë  që të vaksinohen dhe as të ngjallin dilema në sigurinë e vaksinës, duke thënë se 5.000 dozat e vaksinave të ardhura donacion në Kosovë nga Qeveria e Republikës së Turqisë janë nga kontingjenti që ky shtet i ka blerë për qytetarët e saj. Ministri ka falënderuar shtetin turk për këtë donacion.

Ministri Gashi edhe kësaj radhe u ka bërë apel qytetarëve të vendit, që qysh me paraqitjen e shenjave të para të dyshuara të gripit të paraqiten tek mjeku, për të mundësuar kështu mbrojtje më të mirë nga Gripi, pasi që, disa prej rasteve që kanë përfunduar keq, janë lajmëruar me vonesë dhe kjo e ka komplikuar situatën e tyre.

Kurse, gjatë ditës së sotme, Grupi për menaxhimin e pandemisë në MSh, ka mbajtur takim të rregullt pune duke e vlerësuar situatën rreth pandemisë si serioze dhe duke caktuar detyra të reja me qëllim të përballimit më të mirë të saj.