Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi inkurajon vazhdimin e bashkëpunimit në shëndetësi me Gjermaninë

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ka inkurajuar vazhdimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e shëndetësisë, përkatësisht midis Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me Qendrën Klinikë Universitare të Manhajmit.

Ai ka kërkuar nga autoritetet e kësaj qendre që një ekip profesionistësh të saj të qëndrojnë në kontinuitet në QKUK për t’i ndihmuar kolegët e tyre kosovar në përvetësimin e teknikave moderne të Kirurgjisë së Përgjithshme.

Ministri, gjithashtu, i ka dhënë mbështetje edukimit të vazhduar specialistik të kuadrit kosovar, ndërkohë që ka falënderuar  profesorin Shkegro nga Zagrebi, pasi një numër i konsideruar i kirurgëve kosovarë i kanë kryer specializimet e tyre në Qendrën “Rebro” të Zagrebit.

Zëvendës-ambasadori  i Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Eckart Blaurock, ka riafirmuar bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve edhe në shëndetësi në kuadër edhe të nismave të ndryshme të Paktit të Stabilitetit.

Gjatë këtij simpoziumi janë transmetuar përmes Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës disa ndërhyrje kirurgjike të bëra në Qendrën Klinike Universitare në spitalet e tjera të vendit.

Kirurgët e lëmive të ndryshme ndërkaq, kanë marrë pjesë në diskutime të ngjeshura lidhur me zhvillimin e metoda të reja në kirurgji dhe mënyrat e implementimit të tyre praktik.

Simpoziumi është mundësuar nga Pakti i Stabilitet për Evropën Juglindore, Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe  Qendra Klinike Universitare e Manhajmit nga Gjermania.