Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi ka filluar vizitën zyrtare në Turqi

Gjatë kësaj vizite në Turqi, ministri Gashi po shoqërohet nga bashkëpunëtorët e tij dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Bekim Sejdiu.

Gjatë qëndrimit në Ankara, ministri Gashi do të nënshkruajë me autoritetet qeveritare të Republikës së Turqisë marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi, me të cilin pala turke do të ofrojë trajtim pa pagesë për 100 (njëqind) pacientë nga Kosova në vit në këtë shtet, të cilët nuk mund të trajtohen në spitalet e Kosovës.

Përzgjedhja e pacientëve do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, e cila obligohet të mbulojë biletat e udhëtimit të pacientëve, kurse ministritë e dy shteteve, obligohen të ofrojnë kushte për implementimin e plotë të marrëveshjes.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon shkëmbimin e informatave midis dy ministrive, shkëmbimin e përfaqësuesve dhe specialistëve shëndetësor, inkurajimin e pjesëmarrjes së spcialistëve në konferenca dhe takime shkencore të organizuara nga palët si dhe lloje të ndryshme të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe shkencat e medicinës, bazuar në marrëveshje reciproke.

Marrëvëshja  parashihet të vlejë  për një periudhë 5 vjeçare.

Gjatë qëndrimit në Turqi, ministri Gashi pritet të ketë takime edhe me shumë drejtues dhe menaxherë të institucioneve shëndetësore me renome në këtë vend, gjithnjë në formësim të formave të bashkëpunimit me institucionet gjegjëse të Kosovës.