Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi mori pjesë në lansimin e Strategjisë për shkollat promovuese të shëndetit në Kosovë

Lansimi i kësaj strategjie ka për qëllim të informojë opinionin publik për prioritetet dhe politikat zhvillimore qeveritare më fushën e arsimit, shëndetësisë, mjedisit e rinisë, për krijimin e një mjedisi bashkëkohor sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare.

Ministri i Shëndetësisë,Alush Gashi, tha se MSh është e përkushtuar që në kuadër të obligimeve të veta të ngre nivelin e higjienës në shkolla, zhvillimin e programeve edukative me porosi të qarta kundër abuzimit të drogave, ngritjen e njohurive për sëmundjet infektive të trasmetueshme, në veçanti kundër HIV/AIDS-it, duke siguruar një qasje të integruar në promovimin shëndetësor. “Vetëm nëse nxënësit tanë janë të shëndetshëm, ata do të mund të jenë pjesë e konkurrencës së fortë me moshatarët e tyre në rajon, Evropë dhe më gjerë, në kërkim të produktit sot për sot më të shtrenjtë në botë- dijes”, tha ministri Gashi. Ministri tha se MSh në kuadër të Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë (2010-2014) një vend të theksuar i ka dhënë zhvillimit të programeve që sigurojnë një mbrojtje më të mirë të jetës së qytetarëve dhe të rinjve tanë. “Investimi në nxënës dhe rini të shëndoshë, për Ministrinë e Shëndetësisë, është investim në të ardhmen tonë dhe është vështirë të kesh demokraci nëse nuk ke dije”, tha ministri Gashi.

Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj tha se Strategjia është një koncept evropian  që shtron rrugën  për një ambient të shëndoshë në shkollat e Kosovës.

Kurse ministri i Mjedisit, Mahir Jagxhillar, tha se strategjia forcon partneritetin midis shkollave prindërve dhe komunitetit.

Ministri i Kulturës, Valton Beqiri, ndërkaq, tha se fakti se ky dokument paraqet një qasje ndërministrore, krijon premisa që të zbatohen politikat për shkolla dhe rini të shëndoshë.

Kurse, Goof Bujis, nga Rrjeti Evropian për Shkolla Promovuese të Shëndetit, tha se edukimi, shëndeti dhe siguria janë tri nga elementet që nxënësit duhet t’i kenë të siguruara në shkolla.