Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi: MSh ka përmbushur agjendën legjislative në mënyrë transparente

Ministri Gashi theksoi se Ministria e Shëndetësisë ka përmbushur vitin që shkoi agjendën e vet legjislative duke dorëzuar në Qeveri ligjet e parapara.

Ministri është ndalur me theks të veçantë në Ligjin për shëndetësi, i cili i është nënshtruar procedurave të plotësim- ndryshimit dhe në formën e re finale, ky ligj do të ketë brenda vetes edhe Ligjin për Praksën Private.

Do të jetë Kuvendi ai që do të caktojë dinamikën e ndarjes midis dy sektorëve: atij publik dhe privat pasi të jetë miratuar ligji , tha ministri, duke theksuar se ligji merr në konsideratë disa forma që rregullojnë sistemin shëndetësor në vend në të ardhmen, ndër të tjera edhe partneritetin publiko-privat.

Ministri ka theksuar se MSh angazhohet për një mbikëqyrje të plotë parlamentare të ligjeve që miratohen duke e bërë kështu procedurën e hartimit dhe nxjerrjes së ligjeve sa më demokratike dhe ligjet sa më të zbatueshme.

Haxhi Avdyli, kryetar i Qendrës për Hulumtime Shëndetësore, tha se deri tash është vendosur një bazë fillestare e legjislacionit shëndetësor dhe ka ende për t’u bërë, por sipas tij, debatet për legjislacionin nuk janë vetëm për të kritikuar, por për të mësuar nga gabimet dhe për të nxjerrë përfitime sa më shumë në mënyrë që legjislacioni i ri të jetë i zbatueshëm dhe të jenë në harmoni me direktivat e BE-së.

Në këtë tryezë janë ngritur shumë çështje edhe nga përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile dhe në shumicën e çështjeve të ngritura rreth agjendës legjislative të MSh-së është përgjigjur këshilltari i lartë politik i Ministrit, Flakron Sylejmani.

Ishte rekomandim nga debati që bashkëpunimi të vazhdojë me transparencë në interes të nxjerrjes së ligjeve sa më të mira në shëndetësi.