Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi: Pagat e punonjësve shëndetësor janë ngritur rreth 40 për qind

Në një dëshmi para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës, ministri Gashi tha se në janar të vitit 2009 pagat e punonjësve shëndetësor janë ngritur 10 për qind, ndërsa në janar të vitit 2010 edhe për 30 për qind.
Sipas kësaj rritje, paga e specialistit mjekësor në Kosovë është 390 euro, kurse paga e infermierëve është 237 euro.
Ministri, ka thënë se kjo është një ngritja e pamjaftueshme, por një start i mirë për të ecur para.

Ministri është paraqitur për dëshmi në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi të Kuvendit, bashkë edhe me Ministrin e Punës e Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, ndërsa në diskutim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Komisionit si dhe përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikata e QKUK-së.
Ministri Gashi ka theksuar se kërkesat e sindikalistëve të QKUK-së, janë pjesë e angazhimeve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe MSh mirëpret dialogun e vazhduar dhe konstruktiv me punonjësit shëndetësor me qëllim të përmirësimit të pozitës materiale të punonjësve shëndetësor dhe cilësinë e shërbimeve.

Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me kërkesat e sindikalistëve për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, Ligjin e punës, paga në nivel me ato të rajonit dhe statut të veçantë për QKUK-në, Ministri tha se MSh ka punuar Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të cilin e ka dërguar në Qeveri, derisa me kalimin pas shqyrtimit të dytë në Parlament të Ligjit për sistemin e pagave dhe Ligjit për shërbyesit civilë, punonjësit shëndetësor do të nxirren nga kategoria e shërbyesve civilë dhe pozita e tyre materiale do të përmirësohet.

Sa u përket pagave, ministri ka sqaruar se pagat në shëndetësinë kosovare janë më të larta se në Shqipëri , dhe derisa mjeku specialist në Kosovë prej janarit 2010 ka pagë prej 390 euro, specialisti në Shqipëri ka pagë prej 291 euro (40.000 lekë), kurse infermieri në Kosovë ka tash pagë prej 237 eurove, derisa 218 euro (30 000 lekë) marrin infermierët në Shqipëri.

Ministri  Gashi ka shpjeguar se MSh u ka dhënë kompetencë të plotë krerëve të QKUK-së që ta dizajnojnë vet planin për decentralizimin e QKUK-së dhe i ka lutur sindikalistët dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi që të punojnë së bashku për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, në këtë kuadër edhe të pagave, me çka pozita materiale e punonjësve shëndetësor do të përmirësoheshin.
Ministria mirëpret dialogun e vazhduar dhe konstruktiv me të gjitha palët, e vetëdijshme se vetëm me angazhime të përbashkëta dhe ku do të angazhoheshin edhe mekanizma të tjerë që ndikojnë në sferat buxhetore, punonjësit shëndetësor në Kosovë do të kenë paga meritore.