Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi përuroi depon e re të barnave

Ministri Gashi tha se me hapjen e kësaj depoje Ministria e Shëndetësisë siguron kushte shumë më të mira për ruajtjen e barnave, krijohen kursime në Buxhetin e Ministrisë, sepse tash e tutje nuk do të paguhet qira për ruajtjen e barnave të Ministrisë si dhe sigurohet një monitorim shumë më i mirë i deponimit dhe distribuimit të barnave, të cilat Ministria i blen për nevojat e qytetarëve të vendit.

Ministri , po ashtu, ka siguruar se në institucionet shëndetësore të vendit, të cilat furnizohen me barna nga MSh-ja do të ketë një furnizim të qëndrueshëm i cili do të reflektojë pozitivisht edhe në punën e profesionistëve shëndetësor, derisa ka theksuar se arsyetimet e mira të MSh-së dhe shpenzimi i drejtë i parasë publike ka ndikuar që buxheti i Ministrisë për barna dhe material shpenzues të rritet një qind për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri Gashi ka thënë po ashtu se në depon e re nuk do të ketë vend për barna të skaduara, sepse tash e tutje menaxhimi i procesit të blerjes së barnave dhe distribuimit të tyre do të bëhet në mënyrë shumë më profesionale, ndërsa ka theksuar se asnjë donacion në barna apo material shpenzues, nuk do të pranohet pa iu nënshtruar verifikimit të komisionit profesional,pasi që dihet se në të kaluarën, janë pranuar donacione në barna që kanë pasur afate shumë të shkurtra të skadimit.

Depoja e re, e përuruar dje me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka hapësira për vendosjen e barnave, vende për ruajtjen e barnave të konfiskuara, barnave me afat të skaduar, dhomat e ftohta dhe sistem shumë të mirë të kondicionimit të ajrit, gjithashtu ka një përparësi të madhe në krahasim me depon që deri tani është shfrytëzuar në Mazgit, pasi ka një sistem lehtë të kontrolluar të hyrje- daljeve, ndërkohë që çdo distribuim i barnave do të monitorohet aty për aty përmes një sistemi softwerik të instaluar në këtë depo.