Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi porosit nxënësit si të mbrohen nga Gripi A H1N1

Ministri Gashi, u ka sugjeruar prindërve që në rast së fëmija i tyre ndien shenja të dyshimta gripi, të ndalet në shtëpi, të njoftohet menjëherë mësimdhënësi dhe të kontaktohet mjeku që do ta caktojë terapinë. “Më mirë të bëhen disa mungesa se sa të infektohet një shkollë e tërë”, ka thënë ministri Gashi, duke kërkuar në të njëjtën kohë, që prindërit dhe nxënësit, të mos e keqpërdorin këtë situatë dhe të mungojnë nga shkolla vetëm kur është e nevojshme.

Ministri ka thënë se në kohën kur Pandemia e Gripit A H1N1 është në shkallën e gjashtë dhe kur virusi është edhe brenda Kosovës, është esenciale që të ngrihet edhe më tej niveli i higjienës, të shtohet përkujdesja dhe mbi të gjitha të përcillen rekomandimet e institucioneve përgjegjëse.

Ministri ka thënë se vendi posedon doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu, të cilin do ta përshkruajë ekskluzivisht infektologët, ndërkohë që do të blihet edhe numër i mjaftueshëm i vaksinave kundër Gripit A H1N1, derisa zëvendësdrejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Selvete Krasniqi, ka thënë se përgatitjet për ballafaqim me gripin janë të mira dhe shumë shpejt, IKSHP do të startojë me analizën e mostrave për grip të derrit dhe grip të shpezëve në Kosovë.

Drejtoreshë e Shkollës fillore “Ismail Qemali”, Hysnije Jasiqi ndërkaq, duke e falënderuar ministrin Gashi për këtë vizitë të cilën e vlerësoi si shumë të qëlluar, tha se forma e këtillë e komunikimit, është mjeti më i mirë që të ngrihet niveli i vetëdijes për mbrojtja nga Gripi A H1N1.

Ministri Gashi, u ka premtuar mësimdhënësve dhe nxënësve se në agjendën e tij dhe të ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, janë edhe disa tema të tjera, me interes për nxënësit dhe rininë e Kosovës, dhe të cilat do të zhvillohen në vazhdimësi.