Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi priti përfaqësues të OBSH-së për Evropën Juglindore

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe këshilltari i kryeministrit Thaçi për shëndetësi, Shaip Muja, zëvendësministri i Shëndetësisë Nemanja Vujoviq si dhe Skënder Syla e Ardita Tahirukaj nga Zyra e OBSH-së në Prishtinë.

Në takim është biseduar për çështjen e transferimit të familjeve rome nga kampi në veriun e Kosovës në një mjedis tjetër banimi të sigurt shëndetësor në koordinim me autoritetet komunale të Mitrovicës, kushtet e tyre të jetesës, çështjen problematike të rrezikimit nga intoksikimi me plumb si dhe çështje të tjera lidhur me shëndetin e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Ministri Gashi i ka njoftuar përfaqësuesit e OBSH-së me veprimet që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë në drejtim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e saj pa dallim komuniteti dhe përkushtimin e saj që të punojë me të gjitha komunitetet për të gjetur zgjidhjet e drejta për shëndetin.

Në këtë kuadër, ai ka kërkuar ndihmën e OBSH-së për zhvillimin e një Laboratori për Toksikologji në Kosovë, ndërkohë që përfaqësuesit e OBSh-së, kanë premtuar  mbështetjen e tyre si në këshilla, por edhe ndihmë teknike për çështje që do t’i ndihmonin shëndetësisë kosovare në të ardhmen.