Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi priti radiologun amerikan Richard Hirsh

Ministri Gashi e ka njoftuar radiologun e njohur amerikan dhe ekipin e tij me potencialet që ka aktualisht Kosova në fushën e Radiologjisë  dhe Onkologjisë, ndërsa ka theksuar se kjo vizitë po realizohet në kohën e duhur, pikërisht kur po finalizohet procesi i radioterapisë në Kosovë dhe në muajin e sensibilizimit të luftës kundër kancerit.

Ministri i ka dhënë mbështetje projektit të aftësimit të radiologëve kosovarë në bashkëpunim me ekipin dhe vullnetarët e radiologut Hirsh dhe ka siguruar se Ministria e Shëndetësisë ka shumëfishuar angazhimin në trajtimin e sëmundjes së kancerit, duke rritur për disa milionë buxhetin për blerjen e citostatikëve, nga 330 mijë euro vjet, në mbi 4 milionë sivjet.

Richard Hirsh nga ana e tij ka shpjeguar se misioni dy ditor është një mision vlerësues, dhe varësisht prej asaj se si do të rrjedhë bashkëpunimi me radiologët kosovarë, gjasat janë që vitin tjetër të vazhdohet projekti i tij.

Ai ka premtuar mbështetjen e tij për profesionistët kosovarë në luftën kundër kancerit të gjirit, të cilin e quajti si armikun më të madh.

Hirsh me bashkëpunëtorë, sot ka zhvilluar takim edhe me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell, ka vizituar QKUK-në, Spitalin e Ferizajt dhe të Mitrovicës, kurse nesër do të qëndrojë në spitalet rajonale të Pejës, Gjakovës e Prizrenit, për ta përmbyllur kështu vizitën e tij në Kosovë.