Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi shpreh mirënjohje për punën e punëtorëve shëndetësorë gjatë Pandemisë

Që nga shfaqja e rastit të parë të Gripit A H1N1, në prill të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e parapara mbrojtëse në pajtim me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë duke u njohur me këtë problematikë, duke trajnuar stafin e të gjitha niveleve, duke trajnuar personelin shëndetësor dhe duke bërë përgatitje intensive për ballafaqim me pandeminë. Kujdes i veçantë i është kushtuar edukimit të personelit i cili bie në kontakt të parë me pacientët me grip.

Ministria e Shëndetësisë, që nga shpallja e pandemisë nga OBSh në bashkëpunim edhe me institucionet tjera ka vijuar me intensitet të shtuar njohjen e qytetarëve me shkaqet dhe pasojat e gripit, vetëdijësimin e të gjitha shtresave në veçanti nxënësve për rrezikun e këtij gripi, parandalimin, shenjat e gripit si dhe mbrojtjen nga gripi.

Ministria me kohë ka ndërmarrë të gjitha masat për ngritjen e kapaciteteve vendore me lëshimin në punë të laboratorit për zhvillimin e analizave për gripin A H1N1 brenda Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka bërë furnizime tetë herë më shumë se një vit më herët me vakcinë të gripit sezonal, furnizim me tamiflu, vakcinë kundër gripit A H1N1 dhe material shpenzues për përballimin e pandemisë së Gripit duke bërë shpërndarjen e tyre proporcionale në të gjitha institucionet shëndetësore publike të vendit. 

Ministri Gashi fton qytetarët që me kohë të paraqiten te mjeku. Nuk ka vend për panik, por duhet të jemi vigjilent.