Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi takoi një delegacion të Shërbimit shëndetësor të “Nënë Terezës”

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, priti sot në një takim drejtuesit e shërbimit shëndetësor të shoqatës bamirëse humanitare “Nëna Tereze”, të kryesuar nga dr. Gani Demolli.

Në 18 vjetorin e themelimit të këtij shërbimi, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për popullatën kosovare në kohën e periudhës së sistemit paralel kundër regjimit serb, ministri Gashi ka vlerësuar lart kontributin e të gjithë atyre që për vite të tërë ishin pjesë e këtij shërbimi në baza humanitare e vullnetare.

“Puna që është bërë është për t’u admiruar, kurse porosia e angazhimit të shoqatës “Nëna Tereze” duhet të kultivohet edhe tani”, tha ministri Gashi.

Nga ana e tij, dr. Gani Demolli ka falënderuar ministrin Gashi për kontributin që ka dhënë në mbështetje të shërbimit shëndetësor të SHBH “Nëna Tereze”, duke qenë edhe vet pjesë e ndërtimit të atij sistemi që për vite të tëra sfidoi pushtuesin serb në kohën e atij që njihej si shteti paralel i Kosovës, duke mbajtur gjallë shërbimet shëndetësore për popullatën e pambrojtur shumicë në Kosovë.