Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi takoi sindikalistët e QKUK-së

Ministri ka theksuar se është hera e parë pas luftës që pagat në sistemin shëndetësor janë ngritur për 30 për qind, që nuk është e mjaftueshme, por është një start i mirë për të bërë përmirësime të tjera gjatë vitit.

Ministri ka theksuar se askush në sistemin shëndetësor nuk po thotë që paga që marrin sot punonjësit shëndetësor është ajo që duhet, përkundrazi, ka theksuar ministri, mantelbardhët meritojnë shumë më tepër, por pagat janë sipas fuqisë ekonomike që ka vetë vendi ynë dhe sipas buxhetit që e miraton Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Sa i përket kërkesave për Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore, Ministri Gashi ka theksuar se Ligji i Punës është  në procedura nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe MSh i jep përkrahje miratimit të këtij ligji, ndërkohë që ka treguar se Ministria e Shëndetësisë tashmë e ka proceduar Projektligjin për Sigurime Shëndetësore në Qeveri, dhe i mbetet Qeverisë dhe Parlamentit që të ecin me dinamikën e paraparë për miratimin e këtij ligji.Por, ministri e ka bërë të qartë, se implementimi i këtij ligji tërheq pas vetes një kosto financiare prej gati 300 milionë eurove, prandaj implementimi i tij duhet të jetë gradual.

Ndërkohë, për kërkesën për status të veçantë për QKUK, ministri Gashi ka theksuar se Ministria ka kërkuar vetë nga QKUK-ja që ta dizajnojë formën e autonomisë së saj në përputhje me ligjet në fuqi dhe në momentin që vjen  propozimi, Ministria do të mbështes organizimin sa më funksional të kësaj qendre.

Ministri ka shprehur mirëkuptim për pozitën jo të favorshme të punonjësve shëndetësor, dhe në të njëjtën kohë i ka ftuar sindikalistët që të jenë pjesë e procesit për zgjidhjen e çështjeve të adresuara, duke u thënë se dera e Ministrisë së Shëndetësisë është e hapur në çdo kohë për dialog dhe bashkëpunim.

Ajo që ministri e ka theksuar disa herë, ka qenë se MSh nuk do të jetë pjesë e mosmarrëveshjeve brenda sindikale dhe nuk është e interesuar për zhvillime të tilla, por për përmirësime në sistemin shëndetësor të vendit.