Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Gashi vizitoi Shtimen dhe Lipjanin

Në Shtime, ministri Gashi është pritur nga kryetari i komunës Naim Ismajli dhe zyrtarët lokalë  shëndetësorë, kurse në në Lipjan, nga nënkryetari i komunës Florent Hoxha dhe autoritetet komunale për shëndetësi.

Pasi i ka përgëzuar për punën e mirë që këto dy komuna kanë bërë në mjekësinë familjare, ministri Gashi, u ka kërkuar autoriteteve komunale që të konkretizojnë sa më parë projektet në vijim dhe idetë për projekte të reja nga fusha e shëndetësisë, të cilat duhet të përfshihen në kuadër të projekteve kapitale për vitin që vjen, të përmirësojnë sistemin e referimit të pacientëve dhe të vazhdojnë me ngritjen e kapaciteteve të reja profesionale e fizike në komunat e tyre në shëndetësi, për çka ministri ka ofruar përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri Gashi në Lipjan ka inkurajuar zyrtarët e saj që edhe më tej të jenë një shembull i mirë i bashkëpunimit edhe me komunitetin serb në fushën e shëndetësisë, ka uruar për punën e mirë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa në Shtime, ai është angazhuar dhe është zotuar që do të bëhet një zgjidhje për pacientët e dializës të kësaj komune, të cilat gjatë kësaj vere, për shkak të mbingarkesës së Repartit të Dializës së QKUK-së me pacientë të ardhur edhe nga diaspora gjatë pushimeve,  është dashur të transferohen për marrje të shërbimit mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Ministri ka theksuar se në kuadër të hapjes së Qendrës së Dializës në Ferizaj dhe asaj në Kodrën e Trimave në Prishtinë, do të bëhet një zgjidhje më e mirë për këta pacientë të Shtimes.

Në të dy komunat, ministri Gashi, ka gjetur shembuj të mirë të funksionimit të shëndetësisë në nivel lokal: në Lipjan menaxhimin e mirë të QKMF-së, kurse në Shtime, punën  e mirë, sidomos në kabinetin e rentgenit, ku drejtori i kësaj qendre, Naim Zejna, ka treguar se ky kabinet nuk ka mbetur asnjëherë pa filma dhe funksionon në mënyrë të vazhduar duke qenë përherë në funksion të pacientëve.

Ministri Gashi, i ka inkurajuar të dy komunat që të angazhohen për arritjen e standardeve sa më të larta të mjekësisë familjare, por edhe të mendojnë edhe për projekte të nivelit sekondar në shëndetësi, për çka do të mbështeten nga Ministria.