Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili nënshkroi Listën e re të Barnave Esenciale

“Me nënshkrimin e kësaj liste – ne po u dalim në ballë përgjegjësive tona institucionale dhe pas një kohe të gjatë po krijojmë një mburojë financiare të mirëfilltë për popullatën tonë”, tha Ministri Ismaili

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili nënshkroi sot Listën e re të barnave Esenciale të Kosovës, e cila synon që qytetarëve të vendit t’u sigurojë barna cilësore, të sigurta dhe të përballueshme.

Ai tha se deri te ky rezultat është arritur pas një procesi të gjatë, përkushtimi të madh të Ministrisë dhe Komitetit teknik për hartimin e saj dhe një punë profesionale e transparente.

“Në fillim të mandatit tim si ministër kur e kam kuptuar se kjo listë nuk është përditësuar që nga viti 2012 – e kam vënë menjëherë si prioritet revidimin e saj, i bindur se mungesa e përditësimit të një dokumenti kaq të rëndësishëm, është një barrë e rëndë për sektorin e shëndetësisë, shëndetin, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Sot – me nënshkrimin e kësaj liste – ne po u dalim në ballë përgjegjësive tona institucionale dhe pas një kohe të gjatë po krijojmë një mburojë financiare të mirëfilltë për popullatën tonë”, tha Ministri Ismaili.

Ai ka shprehur një falënderim për  Komitetin teknik për punën një vjeçare në Listë, dhe për Zyrën Qendrore të OBSH-së në Gjenevë dhe atë në Prishtinë, për përkrahjen në hartimin e kësaj liste, e cila tash e tutje, do të përditësohet sipas praktikave që i ka kjo organizatë.

Ministri Ismaili tha se revidimi i LBE, bashkë me miratimin e UA për rregullimin e çmimit të barnave dhe pajisjeve medicinale, paraqesin në fakt thelbin e zhvillimit të reformës në sektorin farmaceutik në Kosovë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Listës së Barnave Esenciale ishte i pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i cili e konsideroj si të arritur shumë të madhe miratimin e kësaj liste, duke vlerësuar se në shëndetësi po bëhet kthesë vendimtare.

Ai tha se për vite me radhë, gjatë qeverisjeve së kaluara, qytetarët tanë janë varfëruar në mungesë të shërbimeve të duhura shëndetësore dhe barnave të shtrenjta, duke u detyruar të zgjedhin midis bukës në tavolinë dhe barnave për shërim.

Veseli tha se ndihet mirë kur dëgjon lajme të mira si ky i sotmi. “Urani dhe të gjithë politikanët e tjerë duhet të jenë të pakorruptuar dhe të jenë afër jush. Thuhet se ilaçi më i mirë janë njerëzit, andaj klasa politika e cila denjon të udhëheq me shtetin, duhet të përkujdeset për të gjitha kategoritë dhe t’u japë shanse të barabarta të gjithëve”, theksoi Veseli.

“Njëri nga bashkëpunëtorët e mi, shef kabineti, ka treguar se mund të kemi sukses, duke zgjidhur në shëndetësi disa nyje që dukeshin të pazgjidhshme. Mjekët tanë i kemi shumë të mirë, por kur kemi udhëheq të mirë edhe në ministri, atëherë suksese është i sigurt. E përgëzoj Uranin për lidershipin e tij në këtë drejtim”, theksoi Veseli.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi, tha se gjatë hartimit dhe finalizimit të LBE Komiteti teknik ka shqyrtuar  qindra propozime për përfshirje të barnave, materialeve shpenzuese dhe pajisjeve në Listën e produkteve Esenciale, propozime të dhëna nga profesionistët e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor, shoqatat që përfaqësojë kategori të pacientëve me sëmundje të ndryshme si dhe propozime individuale të profesionistëve shëndetësor, qytetarët apo edhe vet pacientëve.

Ai tha se kjo listë, e cila ka mbi 100 produkte të reja, është hartuar duke marrë në konsideratë edhe analizën e zhvillimeve në industrinë farmaceutike, transparencën dhe llogaridhënien dhe si e tillë do të ndihmojë që të eliminohen interpretimet e gabuara të specifikimeve që në të kaluarën kanë sjellë probleme të shumta në procesin e prokurimit.

Gjatë nënshkrimit të LBE, fjalë falënderimi kanë shprehur edhe përfaqësuesit e Shoqatës së personave të prekur nga Fibroza Cistike dhe Skleroza Multiple, të cilët janë shprehur të lumtur dhe të emocionuar  që Lista e re e barnave Esenciale ka marrë në konsideratë kërkesat e tyre që a aty të përfshihen terapitë e reja me të cilat trajtohen sëmundjet e tyre.

Pas miratimit të Listës së Barnave Esenciale (komponenti e barnave), Komiteti teknik do të vazhdoj punën e tij në hartimin  listave të veçanta për  pajisje esenciale ku hyjnë edhe materialet shpenzuese; listën e produkteve diagnostike dhe listën e pajisjeve asistive, me qëllim që të ketë një përgjigje adekuate për të gjitha llojet e produkteve që përdoren në mjekësi.

Procesi i miratimit të LBE është shoqëruar me një transparencë, duke i dhënë mundësi shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara që ta monitorojnë nga afër procesin, duke marrë pjesë si vëzhgues në mbledhjet dhe punëtoritë e Komitetit, ndërkohë që, publikut i janë vënë në dispozicion dokumente të rëndësishme dhe informacione me kohë për ecurinë e saj.

Gjithashtu, përmes nënshkrimit të Deklaratës mbi Konfliktin e Interesit, është parandaluar çfarëdo forme apo manifestim i konfliktit eventual të interesit nga anëtarët e Komitetit, me rastin e hartimit të këtij dokumenti.