Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili nënshkroi sot plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, me të cilin qindra specializantë vullnetarë futen në sistemin e pagesës

Prishtinë, 7 maj 2014 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili nënshkroi sot plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Shkollim Specialistik, me të cilin mundësohet që specializantët volunter të futen në spacializim me pagesë, duke krijuar mundësi për shkollim specialistik dhe aftësim cilësor në fusha të ndryshme të kujdesit shëndetësor.

Ministri Ismaili tha se me nënshkrimin e këtij dokumenti rregullohet një e drejtë që ju takon specializantëve si profesionistë shëndetësor dhe sigurohet një trajtim i barabartë për kuadrot profesionale.

“Jam shumë i lumtur që sot, pas një pune shumë të madhe që kemi bërë, po i fusim në pagesë qindra specializantë vullnetarë. Duke mbajtur premtimin që kemi dhënë në fillim të mandatit tonë, me rregullimin e kësaj padrejtësie, e cila ka ndodhur për vite me radhë, unë zotohem se kushtet e personelit tonë mjekësor do të përmirësohen vazhdimisht. Përmes këtij plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ, të gjithë specializantët fitojnë të drejtën e tyre për t’u paguar nga shteti dhe të drejtën për t’u trajtuar të barabartë”, tha ministri Ismaili.

Më tej Ministri Ismaili tha se Udhëzimi i ri Administrativ për Shkollim Specialistik legjitimion të drejtën e specializantëve për t’u paguar dhe se përmes plotësim-ndryshimit të tij është menduar edhe për gjeneratat e ardhshme.

“Reformat shëndetësore nuk bëhen pa u rregulluar të drejtat e profesionistëve shëndetësor”, theksoi Ministri Ismaili.

Ai tha se Kosova ka nevojë për kuadrot e saj dhe qëllimi i Ministrisë është që t’i mbajë ata në vend, duke u siguruar kushte dhe mundësi për zhvillim profesional.

Ministria e Shëndetësisë e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim/vullnetar, si çështje me prioritet për vendin.  

Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, duke u mundësuar qytetarëve të vendit qasje më të lehtë, më të shpejtë dhe më cilësore në shërbime shëndetësore.