Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili përuron investimet në aneksin e Radiologjisë dhe CT-në e re në Spitalin e Prizrenit

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot ndërtimin e aneksit të Radiologjisë dhe blerjen e CT-së së re në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

Gjatë këtij përurimi, ministri Ismaili tha se tani qytetarët e Prizrenit do të kenë në dispozicion një repart modern për shërbime mjekësore.

“Vitin 2019 po e përmbyllim me një tjetër lajm shumë të mirë për shëndetësinë. Pas këtij investimi,  Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit u bë me një repart modern të Radiologjisë. E pajisur me CT të re, aparaturë përcjellëse moderne dhe kushte optimale të punës, ky repart do të rrisë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore”, tha ministri Ismaili.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHSKUK-në  që kanë bërë që ky projekt të jetë i realizueshëm.

“Është një ditë e veçantë, sepse po inaugurojmë një projekt në vlerën prej 600 mijë euro me pajisje të reja. Kjo do të jetë informata më e re për qytetarët e Prizrenit dhe rajonit për vitin e ri. Puna dy vjeçare e ministrit dhe kontributi i SHSKUK-së kanë ndihmuar që ky projekt të jetë i realizueshëm. CT ka ardhur si investim i Ministrisë dhe është aktivizuar tani qytetarët do të marrin shërbime cilësore”, tha ai.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se së shpejti do të bëhet qendra e dytë terciare në nivel të Kosovës, e cila do të jetë në Prizren.

“E gjithë kjo është bërë për të mirën e pacientit. Prizreni me rrethinë do të kenë një qendër të avancuar për shërbime profesionale mjekësore”, tha Sejdiu.

CT-ja e re 16 shtresore do të heqë edhe listën e pritjes për qytetarët e Prizrenit të cilët tani do të kenë një adresë të mirëfilltë për trajtimin e shqetësimeve të tyre shëndetësore.

Ndërtimi i aneksit të Radiologjisë dhe blerja e aparaturave të reja ka kushtuar mbi 600 mijë euro.