Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili pritet nga homologu gjerman Spahn, Gjermania do të ndihmojë reformat në shëndetësi

Kosova ka fituar një aleat të fuqishëm në misionin e saj për transformimin e shëndetësisë. Ministri Ismaili ka marrë sot në Berlin zotimin e shtetit gjerman për mbështetje në reformat e nisura 

Prishtinë, 06/11/2018 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, është pritur sot në Berlin nga ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. 

Ministri Ismaili dhe ministri Spahn kanë diskutuar për mundësitë se si Gjermania do të mund të angazhohet konrektisht që të ndihmoj edhe reformat e nisura për transformimin e shëndetësisë në Kosovë. 

“Në reformat shëndetësore që kemi nisur në Kosovë, ndihma e Gjermanisë do të jetë më se e mirëseardhur. Falënderoj ministrin Spahn për pritjen dhe gatishmërinë e shtetit gjerman që të na gjendet afër në misionin tonë për transformimin e shëndetësisë”, ka thënë ministri Ismaili pas takimit me ministrin gjerman. 

“Kërkuam nga Gjermania që me ekspertët e saj, përmes trajnimeve, të na ndihmojë në menaxhimin e spialeve dhe fuqizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Morëm konfirmimin e ministrit Spahn, se sikur në shumë fusha që Gjermania ka ndihmuar Kosovën, përkrahja e tyre do të vazhdoj edhe në shëndetësi”, shtoi ministri Ismaili. 

Nga ana e tij, ministri gjerman Jens Spahn, shprehu gatishmërinë e tij dhe të Gjermanisë që bashkpëunimin e kahmotshëm mes dy vendeve, ta fuqizojnë edhe në fushën e shëndetësisë. 

Ministri Ismaili po qëndron për një vizitë tri ditore në Gjermani për të siguruar mbështetjen e shtetit gjerman në reformat për krijimin e një sektori shëndetësor që në qendër ka qytetarin.