Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili siguron mantelbardhët në Vushtrri për investime në shëndetësi

Prishtinë, 15 dhjetor 2017

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili mori pjesë sot në përurimin e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare III në Vushtrri. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Vushtrri, Ministri Ismaili vizitoi edhe Spitalin “Sheikh Zayed” dhe Qendrën e Urgjencës në kuadër të Kujdesit Primar Shëndetësor, ku me punonjësit e këtyre institucioneve zhvilloi edhe nga një bashkëbisedim për angazhimet e tyre, sfidat dhe nevojat e këtyre institucioneve.

Gjatë përurimit të QMF III, bashkë edhe me autoritetet lokale të Vushtrrisë, Ministri Ismaili i siguroi mantelbardhët aty se gjatë vitit 2018, në këto institucione do të ketë rritje të stafit profesional dhe, gjithashtu, edhe furnizim të plotë me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale.

Ministri Ismaili tha se me buxhetin e rritur për shëndetësi, do të krijohen kushtet e duhura që qytetarët tanë të gjejnë trajtimet e nevojshme në hapësirat ku jetojnë dhe se vitin që vjen do të shihet një trend shumë më pozitiv sa i përket qasjes dhe shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

QMF-ja e përuruar në Vushtrri e cila do të mundë t’u shërbejë rreth 10 mijë banorëve të Vushtrisë, është donacion nga Bashkësia Islame e Vushtrrisë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim, ndërkohë që në Spitalin e Vushtrrisë Ministri Ismaili pa nga afër punën që bëhet në këtë spital, i cili i posedon pajisjet dhe infrastrukturë moderne.