Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili viziton spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”

Prishtinë, 22 janar 2018

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në kuadër të vizitave nëpër spitalet e Kosovës ka qëndruar ditën e shtunë në Gjakovë. Në spitalin “Isa Grezda”, ai ka premtuar shtim të personelit mjekësor dhe rritje të investimeve. Por, në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar edhe rritjen e përgjegjësisë nga personeli i këtij spitali. “Do të shtojmë numrin e punëtorëve, po ashtu do të rrisim edhe investimet në Spitalin e Gjakovës. Në anën tjetër, kërkova që të shtohet përgjegjësia nga të gjithë, si dhe të përmirësohen shërbimet”, tha Ismaili. “Unë do të jem përkrah spitaleve që çdo ditë që të rrisim nivelin e punës”, shtoi ai.

Ai foli dhe për listën e barnave, e cila nuk është reviduar që nga viti 2012. “Ne kemi filluar një punë shumë të madhe, një proces që do të duhej ndoshta të merrte më shumë kohë. Por unë kam thënë se do të përfundojë brenda vitit 2018”. Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, tha se vizita e ministrit të Shëndetësisë në Gjakovë është ditë e veçantë. “Kërkuam nga ministri shtimin e personelit, pasi numri i mjekëve në Gjakovë është më i vogli për kokë banori sesa në të gjithë regjionin”, u shpreh Asllani.

Ministri Ismaili, gjatë kësaj vizite, shoqërohej dhe nga ushtruesi i detyrës së drejtori të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu, si dhe drejtori i Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.