Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Ismaili viziton Spitalin e Gjilanit, shpalos investimet që do të ndodhin aty

 
Prishtinë, 04.10.2018
 
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Spitalin e Gjilanit, nga ku ka bërë të ditur edhe politikën e tij në vitin e dytë të qeverisjes, me fokus në Spitalet e Përgjithshme.
Ministri Ismaili në takimin që kishte me profesionistët shëndetësorë të këtij qyteti, i njoftoi ata nga afër për investimet që do të ndodhin në këtë spital.
“Në fazën e dytë të investimeve tona kapitale, do të kemi fokus të shtuar në Spitalet e Përgjithshme. Jemi duke krijuar një sistem shëndetësor më funksional, më të financuar, më mirë të paguar dhe të pajisur me aparaturë moderne. Edhe Spitali i Gjilanit, i cili për shumë vite është lënë pas dore, do të përfitoj nga kjo politikë me fokus shërbimet shëndetësore dhe qytetarin”, ka thënë ministri Ismaili.
Duke kërkuar nga profesionistët shëndetësorë që të jenë në ballë të reformave në shëndetësi, ministri Ismaili u tregoi atyre edhe për rritjen e pagave që të ndodhin për ta, porsa projektligji për paga të votohet në Kuvend.
“Për vite me radhë profesionsitët tanë shëndetësorë nuk kanë marrë pagat që meritojnë. Kjo tani do të ndryshoj, porsa projektligji për pagat të votohet në Kuvend”, ka shtuar ai.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, falënderoi ministrin Ismaili për mbështetjen e vazhduar të tij për këtë spital.
“Me mbështetjen e ministrit Ismaili kemi bërë disa investime ditëve të fundit në Spitalin e Gjilanit. Këto investime ministri nga siguroi që do të vazhdojnë edhe më tej dhe Gjilanit t’i sigurojmë një spital të denjë për shërbime shëndetësore”, tha ai.