Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Latifi dhe Ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr Rifat Latifi, është takuar sot me Ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv, me ç ‘rast temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.

Ministri Latifi tha se është i nderuar për vizitën e Ambasadores, e para e këtij niveli në Kosovë, posaçërisht duke e pasur parasysh se Izraeli ka një sistem shëndetësor tejet të zhvilluar prej të cilit mund të mësohet shumë.

Me këtë rast, ministri Latifi përmendi shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë së Kosovës, duke potencuar se shëndetësia është prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Ai e vuri në pah edhe nevojën për krijimin e Qendrave të Ekselencës dhe në këtë pikë edhe Qendrën e Traumës e cila është shumë e domosdoshme për sistemin shëndetësor të Kosovës. Bashkëpunimi në këtë pikë, vlerësoi ai, është shumë i dobishëm pasi që Izraeli këtë Qendër e ka më të avancuarën në botë.

Në vazhdim, Ministri Latifi dhe Ambasadorja Ziv u pajtuan se një nga fushat e tjera potenciale të bashkëpunimit është edhe rreth digjitalizimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e trajnimit të stafit shëndetësor kosovar nga ekspertët shëndetësor të Izraelit, në ato profile ku mungon ekspertiza brenda sistemit tonë.  

Ndërkaq, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, znj. Tammy Ziv, tha se  shteti i saj është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe avancimit të fushave specifike, dhe për këtë qëllim ajo njoftoi se tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e vizitës së Ministrit Latifi në Izrael gjatë këtij viti.