Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Latifi në Kongresin Botëror të Kirurgëve në Vjenë

Në ditën e parë të Kongresit Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka marrë pjesë aktive në shumë sesione shkencore.

Në sesionin për “Menaxhimin e Katastrofave”, u dha njoftimi se publikimi ku Ministri Latifi është bashkautor, është zgjedhur si publikimi më i mirë në tre vitet e fundit në këtë fushë, në të cilin flitet për konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Qendrave të Telemjekësisë.

Në ditën e parë të Kongresit, Ministri Latifi ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara me vendet që kanë nevojë për studime shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës, si një vend që duhet përkrahur në këtë aspekt.

Pasi që Kosova, sipas Ministrit Latifi, është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovë.

“Nga viti 1998-2019, 46% e punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autorë nga Kosova”, theksoi Ministri Latifi.

Më pas, Ministri Latifi, ka prezantuar një metodologji dhe teknikë të re për përkujdesje të pacientëve, që i nënshtrohet të ashtuquajturës “Kirurgji për Kontrollin e Dëmit”, me rezultate shumë te mira, përmes së cilës bëhet dializa direkte peritoneale.

​Në punimin “Indications, techniques and results of a prospective study on direct peritoneal resuscitation (DPR) used on 37 patients post damage Control Surgery”, krahas Ministrit Latifi, kanë marrë pjesë edhe Kenji Okumura, Abbas Smiley, specializantë nga Departamenti i Kirurgjisë, nga Westchester Medical Center, NYMC, Valhalla, United States.

Në margjinat e Kongresit, ministri Latifi ka takuar Presidentin vendor të Kongresit, Prof. Dr. Albert Tuchmann, me të cilin biseduan për bashkëpunimin dhe mbështetjen për sistemin shëndetësor të Kosovës në fushën e hulumtimeve shkencore.