Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Latifi prezantoi para institucioneve shëndetësore programin për transformimin e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës ka prezantuar para përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, të odave të profesionistëve shëndetësor, Shoqatës së të drejtave të pacientëve dhe akterëve të tjerë brenda sektorit shëndetësor programin e tij për shëndetësinë “Rruga drejt transformimit”.

Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe këshilltari për shëndetësi i Kryeministrit Kurti, dr. Jusuf Ulaj.

Ky prezantim u bë sot në kuadër të takimit gjithëpërfshirës për prezantimin e politikave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë të cilit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme prezantuan, gjithashtu, aspekte dhe të dhëna të ndryshme që kanë të bëjnë me studimet e fisibilitetit dhe infrastrukturën shëndetësore, shërbimet klinike dhe listat e pritjeve për trajtime jashtë institucioneve shëndetësore publike, Fondin e Sigurimeve, tre nivelet e Kujdesit Shëndetësor, sfidat e ballafaqimit me COVID-19 dhe tematika të tjera.

Pasi ka bërë një elaborim të detajuar rreth gjithë asaj me çka është përballur në sektorin shëndetësor që nga marrja e mandatit, Ministri Latifi ka theksuar se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore; Kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi; Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike; Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Proceset e akreditimit ndërkombëtar; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe- Decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK, janë shtatë shtyllat e programit të tij për shëndetësinë.

Ai i elaboroi ndërhyrjet që duhet bërë me qëllim që të arrihen rezultatet e pritura që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe sigurimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.

“Pacienti në qendër të vëmendjes, politika të bazuara në dëshmi shkencore, orientim në hulumtime  dhe shtytje e tyre përmes teknologjisë”, janë parimet të cilat duhet të na udhëheqin në punën tonë”, tha Ministri Latifi.

Ai përmendi se, krahas intervenimeve në infrastrukturë dhe riorganizim, krijimi i disa qendrave si Qendra e Emergjencës dhe Traumës; Qendra për kancer të Gjirit, pastaj programet e integruara dhe të avancuara në Onkologji; Kirurgjia endoskopike; Qendra e avancuar e Neurokirurgjisë, etj., do tw jenw pjesw e programit tw tij, ndërkohë që adresoi edhe sfidat e kuadrit deficitar  në Anesteziologji dhe Kujdes Intensiv si dhe në lëmi të tjera të cilat do të trajtohen.

“Si do t’i arrijmë këto?-Me angazhim dhe përgjegjësi të plotë, vizion e planifikim të qartë, transparencë të plotë me secilin partner dhe sigurim të ekzekutimit të plotë dhe me kohë të çdo projekti të filluar”, tha ai.

Ministri Latifi tha se takime të tilla, në mënyrë specifike për secilën problematikë do të mbajë edhe me profesionistë të tjerë dhe të gjitha grupet e interesit, sepse misioni im, tha ai, “është që të  ndihmojë shëndetësinë tonë dhe të sigurojmë mirëqenie e ngritje profesionale për profesionistët dhe shërbime cilësore në Kosovë për pacientët tonë”.