Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Latifi: Transplantimi i veshkave do të rregullohet me ligj

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Shoqata e Nefrologëve të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Veshkës.

 Me këtë rast, ministri Latifi, tha se nefrologjia duhet të ngritet në nivelin më të lartë shkencor dhe klinik duke u mundësuar metodat më të reja të teknikës së dializës peritoneale mobile në shtëpi.

“Së bashkë kemi shumë punë përpara, dhe njëherësh e çmoj dhe vlerësoj punën e secilit. Pacienti është primar në punën tonë dhe në qendër të vëmendjes”, u tha Ministri Latifi profesionistëve të pranishëm në shënimin e kësaj dite.

Në këtë konferencë, ministri Latifi, përmendi edhe shtatë shtyllat kryesore të Ministrisë që ai drejton, duke veçuar formimin dhe funksionalizimin e qendrave të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike, sidomos shërbimet e transplantimit të veshkave, ku kjo çështje do të rregullohet me ligj.

Në këtë konferencë, nga të pranishmit u diskutua edhe për patologjitë e trashëguara të veshkave dhe uro-traktit te fëmijët, vaksinimi kundër COVID-19 i pacientëve me dializë, etj.