Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani bisedoi me Ambasadorin austriak Pfandler dhe Ambasadorin hungarez Markusz për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 18 dhjetor 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takime të ndara Ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, z.  Gernot Pfandler dhe Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz.

Në takimin me Ambasadorin austriak, Ministri Rrahmani ka falënderuar përmes Ambasadorit shtetin austriak për ndihmën që ky shtet është duke i dhënë shëndetësisë kosovare me projekte konkrete, sidomos në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, edukimit të vazhduar profesional të mantelbardhëve kosovarë dhe angazhimeve për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore.

Ambasadori austriak  Pfandler ka përgëzuar Ministrin Rrahmani për projektet konkrete të bashkëpunimit dhe ka shprehur përkushtimin e shtetit të tij për përkrahje të mëtejme në fushën e shëndetësisë.

Në takim është biseduar edhe për kredinë e butë austriake në përkrhje të shëndetësisë kosovare dhe projekte të tjera, të iniciuara me rastin e qëndrimit të Ministrit Rrahmani në Forumin Alpbach në Austri dhe angazhimet e përbashkëta me njërin prej themeluesve të këtij forumi, ish-koordinatorin special të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, z. Erhard Busek.

Ministri Rrahmani dhe Ambasadori Pfandler kanë shprehur besimin se viti që po vjen do të shënohet me intensifikim të bashkëpunimit që do të reflektojë edhe me ngritje të cilësisë së disa shërbimeve shëndetësore në Kosovë, sidomos atyre në fushën e kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë.

Ndërkaq, në takimin me Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, Ministri Rrahmani ka biseduar për fillimin e një bashkëpunimi konkret në fushën e shëndetësisë midis Hungarisë e Kosovës, tash pas intensifikimit të kontakteve e bashkëpunimit midis dy shteteve edhe në rrafshin politik.

Ambasadori hungarez Markusz ka shprehur interesimin e investitorëve hungarëze që me produktet e tyre të jenë pjesë e tregut dhe bashkëpunimit në Kosovë, në veçanti në fushën e farmaceutikës, për çka prodhuesit hungarez kanë shprehur interesim.

Ai theksoi gjithashtu, përkushtimin e Hungarisë që të ndihmojë sektorin shëndetësor në Kosoëv, që do të shprehet qysh muajtë në vijim me donacione dhe aktivitete konkrete, për ta ndihmuar shëndetësinë kosovare në sigurimin e një kujdesi shëndetësor cilësor për kosovarët.