Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani bisedon me Komitetin e Grave të Verbëra për nevojat e këtij komuniteti

Prishtinë, 21 dhjetor 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani,  priti sot përfaqësues të Shoqatës “Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës”,  të kryesuar nga kryetarja e këtij Komiteti, znj. Bajramshahe Jetullahu.

Gjatë këtij takimi, Ministri Rrahmani është informuar për hallet e këtij komuniteti, përfshirë të dy gjinitë, nevojat e tyre në rrafshin shëndetësor dhe social,  si dhe i ka njoftuar  me mundësitë që ligjet e shëndetësisë, në veçanti Ligji i Sigurimeve Shëndetësore ka paraparë për këtë kategori, duke i liruar nga pagesa e kontributave dhe ofrimi i sigurimit shëndetësor të obliguar falas për ta.

Përfaqësuesit e Komitetin e Grave të Verbëra kanë shprehur disa kërkesa që kanë të bëjnë me përmirësimin e kujdesit ndaj tyre dhe përkrahjen, për të cilat Ministri Rrahmani ka shprehur mirëkuptim dhe i ka siguruar që do të angazhohet që konkretisht të zgjidhen së bashku, ndërkohë që, hiq ndonjë keqkuptim aty-këtu në ndonjë institucion shëndetësor, në takim u tha se kjo kategori i marrin shërbimet shëndetësore falas në institucionet shëndetësore.

Gjithashtu, Ministri Rrahmani ka siguruar përfaqësuesit e këtij komuniteti se do të merren parasysh interesat e tyre me rastin e hartimit të politikave shëndetësore me qëllim që të sigurohet një kujdes shëndetësor sa më gjithpërfshirës për këtë komunitet.