Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani bisedon me Kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi, për Kujdesin Parësor të kësaj komune

Prishtinë, 27 qershor 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit,  Xhafer Gashi, me të cilin ka biseduar për Kujdesin Parësor Shëndetësor të kësaj komune dhe mundësitë e përkrahjes së avansimit të shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.

Gjatë takimit, Ministri Rrahmani e ka njoftuar Kryetarin e Obiliqit me angazhimet e Ministrisë për të fokusuar vëmendjen në Kujdesin Parësor Shëndetësor si shtyllë të sistemit shëndetësor dhe përkrahjen konkrete që u është dhënë komunave në përmirësimin e infrastrukturës  shëndetësore dhe kapaciteteve të tjera.

Në këtë aspekt, Ministri tha se, duke marrë parasysh specifikat që ka Komuna e Obiliqit, Ministria do të angazhohet që të përkrah këtë komunë brenda buxhetit në dispozicion që ka të bëjë me projekte mbështetëse për kujdesin shëndetësor në komuna.

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi ka theksuar se për shërbimet shëndetësore të kësaj komune është e nevojshme sigurimi i një autoambulance, përkrahje në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimit profesional të kuadrit shëndetësor.