Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani dhe Ambasadori britanik Cliff diskutojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 12 janar 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë,  z. Jan Cliff.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani e ka njoftuar Ambasadorin me planet e Ministrisë së Shëndetësisë për zhvillimin e reformave shëndetësore, sfidat e sektorit dhe projektet e bashkëpunimit me partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë.

Ministri Rrahmani ka theksuar se prioritet i lartë mbetet jetësimi i sigurimeve shëndetësore, të cilit proces, tha ai, Ministria është duke ju qasur me kujdes duke marrë parasysh edhe rreziqet që i bart në vete, ndërkohë që po punohet në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor që të përmirësohet cilësia e shërbimeve.

Ambasadori Cliff ka uruar Ministrin Rrahmani për detyrën dhe ka theksuar se Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështes sektorin shëndetësor, duke marrë parasysh nevojat që ky sektor i ka dhe rëndësinë që qytetarëve t’u sigurohet kujdesi i nevojshëm shëndetësor.

Ai tha se Britania e Madhe dhe Kosova kanë pasur bashkëpunim të mirë në fushën e zhvillimit të Mjekësisë familjare përmes Kolegjit Mbretëror të Britanisë së Madhe , në fushën e farmaceutikës si dhe theksoi faktin se Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë i këtij shteti, do të mund të ndihmojë shëndetësinë kosovare në fusha të caktuara të shërbimeve shëndetësore.