Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani dhe Ambasadori hungarez Markusz bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 15 shtator 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Imet Rrahmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e mundshëm midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani e ka njohur Ambasadorin Markusz me zhvillimet në shëndetësinë kosovare, zbatimin e reformës shëndetësore, implementimin e ligjeve dhe projekteve të ndryshme, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për të nisur një bashkëpunim edhe me shtetin e Hungarisë për fushat që mund të konsiderohen me interes prej dy shteteve.

Në këtë drejtim, Ministri Rrahmani tha se një bashkëpunim në fushën e studimeve mjekësore, trajnimeve për profesionistët shëndetësor dhe edukimin e vazhduar profesional, do të ishte me interes, sikurse edhe bashkëpunimi në fushën e shërbimeve shëndetësore deficitare.

Nga ana e tij, Ambasadori hungarez ka shprehur interesimin e kompanive të këtij shteti për të qenë pjesë e tregut farmaceutik në Kosovë me prodhime dhe investimet e tyre si dhe ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të vendosur bashkëpunim edhe në fusha të tjera të sektorit shëndetësor.