Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani dhe Ambasadori Minxhozi vizitojnë Tropojën dhe bisedojnë për bashkëpunimin ndërkufitar në shëndetësi

Prishtinë, 11 mars 2016

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Zëvendësministri Izet sadiku dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi, me bashkëpunëtorë, vizituan sot Rajonin e Tropojës, përkatëisht Spitalin e qytetit të Bajram Currit, ku me autorutetet lokale aty biseduan për bashkëpuniin ndërkufitar në shëndetësi.

Fillimisht ata u pritën nga Kryebashkiaku i Tropojës, z. Besnik Dushaj, i cili u shpreh shumë falënderues për autoritetet shëndetësore kosovare dhe Spitalin e Gjakovës për shërbimet shëndetësore që për pacientët e Bajram Currit e Hasit të Shqipërisë i ofron ky spital, në veçanti shërbimet e dializës.

Ai tha se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë, ndërkohë që ka shprehur interesimin për mundësinë që mjekë nga ky rajon i Shqipërisë, të ndihmohen nga MSH-ja e Kosovës për të ndjekur specilizime në Kosovë, për nevojat shëndetësore të qyetetarëvë te rrethit të Tropojës.

Ministri Rrahmani tha se Kosova do të vazhdojë të ofrojë shërbime për pacientët e veriut të Shqipërisë, jo vetëm nga fusha e dializës por edhe nga fushat e tjera, ndërkohë që do të shikohen mundësitë për realizimim e projekteve të përbashkëta në shëndetësi, me qëllim që qytetarëve të veriut të Shqipërisë, t’u krijohen lehtësime në marrjen e këtyre shërbimeve në Kosovë.

Në veçanti, Ministri rrahmani tha se përveç shërbimeve të dializës që për qytetarët e rrethit të Tropojës i ofron Spitali i Gjakovës, do të shikohen mundësitë edhe për bashkëpunim në çështje të tjera shëndetësore në interes të dy vendeve, në kuadër të Marrëvesjes së bashkëpunimit në shëndetësi Kosovë-Shqipëri, me mundësinë që në këto projekte të angzzhohen edhe partnerë të tjerë.

Ambasadori Qemajl Minxhozi ka falënderur MSh-në për mundësitë që ka krijuar për pacientët e veriut të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, ndërkohë që është shprehur se përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejt lehtësohet marrja e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rrethit të Tropojës, derisa midis Kosovës e Shqipërisë ka mundësi të mira edhe për zhvillimin e turizimit shëndetësor.

Më pas, është realizuar një vizitë edhe në Spitalin  e Bajram Currit, ku autoritetet e tij kanë shprehur falënderim për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, siç u shprehën ata, me Spitalin e Gjakovës dhe ndihmën që personeli i këtij spitali po u jep pacientëve të Tropojës, Bajram Currit e Hasit të Shqipërisë.

Në këtë vizitë mori pjesë edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të  Gjakovës “Isa Grezda”, dr. Ahmet Asllani, i cili tha se ndihma e këtij spitali për qytetarët nga rrethi i Tropojës, Bajram Currit e Hasit do të vazhdojë.

Në këtë vizitë, autoritetet respektive shprehën zotimin se bashkëpunimi do të forcohet, ndërkohë që në javët dhe muajt në vijim,  disa projekte të përbashkëta do të mund të konkretizohen e realizohen bashkërisht.