Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani dhe përfaqësues të EBA bisedojnë hollësi rreth spitalit kirurgjik-pediatrik

Prishtinë, 24 nëntor 2015 

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot përfaqësues të Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilët u biseduan detaje rreth projektit të spitalit të ri kirurgjik-pediatrik, që do të ndërtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, donacion me vlerë prej 22 milionë eurove nga Lartmadhëria e saj, Sheika Fatima Bint Mubarak e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministri Rrahmani falënderoi edhe një herë EBA-të për këtë projekt që ndihmon drejtpërdrejt forcimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijë në Kosovë, duke theksuar se një spital i tillë do të ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e vendit në realizimin e prioriteteve që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, tha Ministri, do të ofrojnë krejt asistencën që do të kërkohet, me qëllim që projekti të realizohet sipas parashikimeve, ndërkohë që falënderoi edhe Presidenten Jahjaga për angazhimet në arritjen e marrëveshjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë.

Përfaqësuesi i EBA, dr. Mamad Hazaabi dhe këshilltari i lartë për Kualitet dhe Monitorim në Autoritetin Shëndetësor të EBA, kanë prezantuar disa detaje teknike që lidhen me projektin dhe u shprehën të kënaqur me ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit në realizimin e tij.

Ata thanë se do të kenë takime edhe me ekspertë të fushave teknike në SHSKUK, me qëllim të qartësimit të çdo detaji para se të fillohet me ndërtimin e spitalit, i cili është paraparë që të futet në funksion të pacientëve , në fundin e vitit 2017.