Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani mbështet të arriturat në Onkologji

Nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, dr. Ekrem Hyseni, Ministri Rrahmani u njoftuar se brenda ditës në këtë klinikë trajtohen me kimioterapi prej 120-180 pacientë, ndërsa me radioterapi rreth 55 pacientë në ditë

Prishtinë, 11 shkurt 2014

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë qëndroi sot në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nga stafi i kësaj klinike u njoftua për punët në këtë klinikë. Ai vizitoi gjithashtu edhe pacientët që ndodheshin në trajtim si dhe inspektoi punën e disa prej shërbimeve të kësaj klinike.

“Kam ardhur këtu që të shoh nga afër punën që bëhet me pacientë, shërbimet që ofrohen, nivelin e furnizimeve me citostatikë dhe të shohim rrugët për përmirësimin e shërbimeve në këtë klinikë”, tha Ministri Rrahmani para stafit të onkologjisë, duke shprehur përkrahjen si për stafin e klinikës ashtu edhe për pacientët që marrin shërbime aty.

Nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, dr. Ekrem Hyseni, Ministri Rrahmani u njoftuar se brenda ditës në këtë klinikë trajtohen me kimioterapi prej 120-180 pacientë, ndërsa me radioterapi rreth 55 pacientë në ditë. “Për kimioterapi nuk kemi fare listë të pritjes, ndërsa për radioterapi, kemi arritur që ta shkurtojmë kohën e pritjes për pacientët më shumë se kudo tjetër në rajon”, tha dr. Hyseni, duke theksuar se koha e pritjes në radioterapi në Onkologji në QKUK është prej dy –katër javë, për dallim prej Shkupit ku kjo shkon deri në dy muaj apo në Serbi deri në katër muaj.

Dr. Hyseni tha se prej prillit, parashikimet janë që të mos ketë listë të pritjes, por listë të planifikimit të ofrimit të radioterapisë, ndërkohë që theksoi se përkundër faktit që terapia me të cilën trajtohen pacientët që marrin shërbime në këtë klinikë është shumë e shtrenjtë, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit që shkoi janë ndarë rreth 7 milionë euro për sigurimin e saj, derisa shërbimet e ofruara në këtë klinikë, si ato nga kimioterapia, ashtu edhe ato nga radioterapia janë të një cilësie të lartë.

Ministri Rrahmani tha se pacientët me sëmundje malinje janë prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që theksoi se kjo klinikë, dita ditës po dëshmon se është model i punës profesionale dhe bashkëpunimit të mirë ndër-kolegial, por edhe midis institucioneve.