Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani merr mbështetje nga Ambasadorja Ozan

Prishtinë, 16. 01. 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Songül Ozan.

Në takim u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë në mes dy shteteve.

Ministri Rrahmani, tha se është i njoftuar për ndihmën e dhënë nga Turqia në të gjitha  fushat, e në veçanti në atë të shëndetësisë, duke shtuar se kjo mbështetje është për t’u vlerësuar.

“Ne jemi të interesuar që Turqia, të na mbështesë me investime kapitale, trajtime shëndetësore për pacientët të cilët nuk mund të shërohen në vend dhe me trajnimin e profesionistëve shëndetësor kosovar në spitalet e vendit tuaj, në mënyrë që të ngrihen kapacitetet profesionale”, tha Ministri Rrahmani.

Ambasadorja Ozan, duke uruar Ministrin Rrahmani për postin e ministrit, e siguroj se bashkëpunimi do të vazhdojë në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, përfshirë edhe ndihmën në trajtimet e pacientëve sipas marrëveshjes që kanë me MSh-në.

Në takim u bisedua edhe për projekte konkrete ku Republika e Turqisë do të mund të financonte për të ndihmuar shëndetësinë kosovare.