Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Projektit të KE: “Avancimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut- të burgosurve në Kosovë”

Prishtinë, 25 prill 2017

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në burgje Milazim Gjocaj, morën pjesë sot në takimin e Komitetit Drejtues të Projektit të Këshillit të Evropës: “Avancimi i mbrojtjes së të drejtave të njerëzve të burgosur në Kosovë”, që u mbajt në Zyrën e KE në Prishtinë.

Në këtë takim, ku morën pjesë drejtuesit e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, udhëheqësit e projektit, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Mekanizmit Kosovar për Parandalimin e Torturës e të Avokatit te popullit, është diskutuar për ecurinë dhe rezultatet e projektit që ka filluar në nëntor të vitit 2016 dhe që do të zgjas për 23 muaj.

Ministri Rrahmani ka falënderuar KE për mbështetjen që është duke i dhënë Shërbimit Shëndetësor të burgjeve në përgjithësi dhe avancimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit në veçanti dhe ekipin e ekspertëve të KE për Raportin Analizues të kujdesit shëndetësor të burgjeve të datës 31 Janar 2017.

Ai tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Shëndetësi, është bërë transferi i plotë i shërbimeve shëndetësore të burgjeve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Me këtë akt, ne jemi vendi i vetëm në Evropën juglindore që kemi përfunduar një proces të tillë.

Me këtë transfer, ne kemi marrë përgjegjësi edhe më të mëdha, përkundër sfidave të tjera që ka shëndetësia në vend”, tha Ministri Rrahmani duke theksuar se me harmonizimin e proceduarve të punës së Shërbimit Shëndetësor në Burgje arrihen shumë qëllime:

  1. Së pari, definohen procedurat unike të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend dhe respektimit te të drejtave të njeriut.
  2. Së dyti, këto procedura ndihmojnë në bashkëpunimin me institucionet e tjera shëndetësore publike në vend duke iu dhënë prioritet të burgosurve në terminë, intervenime e deri te sigurimi i terapisë së rralle, tërë kjo me mbështetjen e nivelit dytësor dhe tretësor në vend.
  3. Së treti, me implementimin e këtyre proceduarve, lehtësohet puna e monitoruesve të jashtëm dhe të brendshëm në vlerësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore që ofrohen për të burgosurit duke përcaktuar se cilat janë shërbimet dhe procedurat të cilat duhet të ofrohen dhe matshmërinë e tyre se sa ato ofrohen.

“Bazuar në gjithë këto që i përmenda deri me tani, ne jemi të interesuar që te ofrojmë një kujdes shëndetësor cilësor, transparent dhe të avancuar duke respektuar te drejtat e njeriut dhe duke dëshmuar se transferi i këtyre shërbimeve nga MD në MSh përpos që respekton rekomandimet e BE-së dhe OBSh-së, mund të jetë edhe udhërrëfim për shtete e tjera që të veprojnë njëjtë si ne”, tha Ministri Rrahmani.

Në këtë takim, pjesëmarrësit kanë falënderuar MSh për bashkëpunimin në zbatimin e këtij projekti të Këshillit të Evropës dhe vet Ministrin për përkushtimin e tij.