Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani nënshkroi në Londër me RCGP Marrëveshjen për Akreditimin ndërkombëtar të Specializimit të Mjekësisë Familjare të Kosovës nga Kolegji britanik

Ministri Rrahmani nënshkroi në Londër me RCGP Marrëveshjen për Akreditimin ndërkombëtar të Specializimit të Mjekësisë Familjare të Kosovës nga Kolegji britanik

Marrëveshja e nënshkruar nga Ministri Imet Rrahmani me Presidentin e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (RCGP), z. Terr Kemple, siguron vazhdimësinë e akreditimit ndërkombëtar të Mjekësisë në Kosovë edhe për pesë vjetët e ardhshëm dhe paraqet një mundësi tjetër për ndërkombëtarizimin e mjekësisë familjare të Kosovës

Prishtinë, 17 nëntor 2016

Në vazhdën e implementimit të reformës shëndetësore në Kosovë si dhe përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore, me theks të veçantë ne implementimin e konceptit të Mjekësisë familjare, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani nënshkroi sot në Londër me Presidentin e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (RCGP), z. Terr Kemple, Marrëveshjen e Mirëkuptimit për akreditimin e Programit specialistik të Mjekësisë Familjare në Kosovë nga ana e këtij kolegji.

Marrëveshja e nënshkruar me mandat 5 vjeçar, që është e treta në mes të MSh-se dhe Kolegjit Mbretëror të Mbretërisë së Bashkuar të Anglisë, siguron vazhdimësinë e akreditimit ndërkombëtar të Mjekësisë në Kosovë edhe për pesë vjetët e ardhshëm dhe paraqet një mundësi tjetër për ndërkombëtarizimin e mjekësisë familjare të Kosovës, si një ndër programet specialistike të para të akredituara ndërkombëtarisht si dhe mundësinë që ky program të promovohet në programet e tjera specialistike.

Marrëveshja e mirëkuptimit parasheh një numër objektivash që lidhen me rishikimin e komponentëve akademikë të Kujdesit Parësor Shëndetësor; përditësimin e plan-programit për programin e specializimit për mjekët familjarë në Kosovë, në përputhje me standardet ndërkombëtare për shkollimin mjekësor dhe që mund të vlerësohen sipas standardeve të anëtarësisë ndërkombëtare në RCGP (MRCGP (INT)); mbështetjen e QZHMF-në për rritjen e cilësisë së shkollimit dhe ofrimin e shërbimeve të mjekësisë familjare si dhe mbështetje QZHMF-së për të fuqizuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar programin e specializimit në mjekësi familjare të Kosovës si në nivel të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.

Aktivitetet e ndërlidhura me nënshkrimin e Marrëveshjes, përkatësisht me akreditimin ndërkombëtar financohen nga Qeveria e Luksemburgut.