Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani po realizon vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministri Rrahmani, gjatë vizitës autoriteteve vendore të EBA ju ka dorëzuar pesëmbëdhjetë projekte që MSh-ja i ka prioritet në përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimit me aparaturë të institucioneve shëndetësore të kosovare

Prishtinë, 8 dhjetor 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani po realizon një vizitë zyrtare në ë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë kësaj vizite, Ministri Rrahmani është pritur nga autoritetet më të larta në fushën e Shëndetësisë të EBA-së, me të cilët ka biseduar për mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit dypalësh në mes dy shteteve mike.

Në këto takime, Ministrin Rrahmani e kanë shoqëruar bashkëpunëtorët dhe Ambasadori i Kosovës për vendet e Lindjes së Mesme, z. Rexhep Boja.

Në takim është konstatuar se tashmë bashkëpunimi në mes Kosovës dhe EBA ka marrë përmasa tradicionale, duke kujtuar këtu ndihmën e vazhdueshme të EBA-së për Kosovën jo vetëm në shëndetësi.

Gjatë takimeve zyrtare, Ministri Rrahmani është siguruar nga autoritetet e EBA-së se ky shtet e konsideron Kosovën si një vend mik strategjik, dhe kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të reja infrastrukturore dhe profesionale në shëndetësi.

Gjatë takimit, palët janë pajtuar që të punohet në arritjen e një marrëveshje ndërshtetërore për shkëmbimin e përvojave nga shëndetësia, zhvillimin e turizmit shëndetësorë, shkëmbimin e studentëve dhe mjekëve, deri te krijimi i mundësive për punësim dhe plasimine prodhimeve Kosovare farmaceutike në tregun e EBA.

Ministri Rrahmani, gjithashtu gjatë vizitës autoriteteve vendore ju ka dorëzuar pesëmbëdhjetë projekte që MSh-ja i ka prioritet në përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimit me aparaturë të institucioneve shëndetësore të Kosovare.

Ministri Rrahmani ka shprehur besimin se muajve në vijim do të ketë hapa edhe më konkret në fuqizimin e këtij bashkëpunimi midis Kosovës dhe EBA në shëndetësi.

Gjatë këtij qëndrimi në vendet arabe, Ministri Rrahmani pritet ta vizitojë edhe Katarin dhe të ketë ndër të tjera takime edhe me bashkë-atdhetarë që janë të angazhuar në punë dhe projekte të ndryshme në këto vende.