Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani priti ekspertin botëror të kardiologjisë invazive për fëmijë, Prof. dr. Shakeel Qureshi

Prishtinë, 21.07.2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani, priti sot z. Rob Raylman, Drejtor i Organizatës “Gift of Life”, të Nju Jorkut, znj. Lucy Ossack, menaxhere e organizatës “Chain of Hope”, nga Britania e Madhe dhe Prof. dr. Shakeel Qureshi, njëri nga ekspertët më të njohur në botë të kardiologjisë invazive nga Britania e Madhe, me të cilët u bisedua në lidhje me realizimin e bashkëpunimit  në fushën e trajtimit dhe të fëmijëve me probleme kardiake.

Ministri Rrahmani duke e vlerësuar lartë gatishmërinë e dr. Qureshit dhe ekipit të tij, për ndihmën profesionale në fushën e kardiologjisë invazive, i njoftoi se Ministria e Shëndetësisë, ka njërin nga prioritet e saja funksionalizimin e Kardiokirurgjisë dhe forcimin e kardiologjiosë invazive si dy prej shërbimeve shumë të rëndësishme për shëndetësinë kosovare.

Ministri Rrahmani ndër të tjera theksoi se ka formuar Këshillin për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, i cili pas analizimit të situatës do të propozojë format e funksionalizimit të këtij shërbimi.

“Ne dëshirojmë që Kardiokirurgjia të fillojë punën me ekipe vendore të cilët do të mund të ofrojnë shërbime 24 orë, e cila krijon parakusht për bashkëpunim edhe me ekipe të ekspertëve ndërkombëtar të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur këto shërbime ”, tha ministri Rrahmani.

”Kosova ka kapacitete profesionale mjekësore të moshës së re, gjë që premton një të ardhme të mirë për shëndetësinë kosovare, dhe kontributi juaj në këtë aspekt është më se i mirëseardhur” tha ministri Rrahmani.

Prof. dr. Shakeel Qureshi tha se ne jemi partnerë seriozë në mbarë botën sa i përket ndihmës në fushën e kardiokirurgjisë, dhe është shumë e rëndësishme që ju të shfaqni interesin e juaj, në mënyrë që koordinimi i aktiviteteve tona të jetë i përbashkët me qëllimin e  ngritjes së shërbimeve kardiovaskulare te fëmijët.Raylman dhe znj. Ossack, thanë se kontributi i tyre do të jetë në dy drejtime, ofrimi i shërbimeve për pacientë dhe përkrahja për ngritje të kapaciteteve profesionale.

Prof. dr. Qureshi së bashku me ekipin e tij dhe mjekët kosovarë, do të vizitojnë rreth 50 fëmijë me probleme kardiake.