Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani priti përfaqësues të Lux-Dev

Prishtinë 24 gusht 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani i shoqëruar nga U.D Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Ardian Mehmetaj dhe bashkëpunëtorë, priti sot në takim përfaqësues të Qeverisë së Luksemburgut të udhëhequr nga drejtori i ri përgjegjës për projektet e Lux-Dev në Kosovë, Zt.Frédéric Rouffe,   këshilltaren për Ballkan (në largim), Znj.Dzeneta Ramic dhe shefen për këshillim teknik, znj. Afërdita Ademi-Osmani.

Në këtë takim, Ministri Rrahmani ka uruar për detyrën drejtorin e ri z. Rouffe, e në anën tjetër ka falënderuar znj. Ramic për kontributin e dhënë gjatë mandatit të saj, dhe bashkëpunimin e mirë e të suksesshëm në kuadër të projekteve mbështetëse të Lux-Devit, për shëndetësinë kosovare dhe për Kosovën në përgjithësi.

Ministri Rrahmani ka njoftuar përfaqësuesit për sfidat e shëndetësisë kosovare, preokupimet dhe prioritetet e MSh-së dhe ka shprehur përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve mike, posaçërisht në fushën e shëndetësisë.

Ai tha se “Ministria e Shëndetësisë është duke punuar me itenzitet të shtuar në procesin e reformave që nënkupton riorganizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të MSH-së që kjo Ministri të jetë shumë më dinamike”.

“Prioritet i yni në këtë fazë është sistemi i sigurimeve shëndetësore ku në janar të vitit 2017, do të fillojmë me mbledhjen e premiumeve shëndetësore dhe krahas saj sistemi i informimit shëndetësorë, që do të mbështetet në parimet moderne organizative e funksionale, e që Qeveria e Luksemburgut e ka mbështetur në vazhdimësi këtë projekt, për çka ju jemi falënderues”, tha Ministri Rrahmani.

U.D. Sekretari i Përgjithshëm Ardian Mehmetaj, është shprehur falënderues ndaj Qeverisë së Luksemburgut, për siç tha “mbështetjen e vazhdueshme që po jep për fushën e shëndetësisë”.

Znj. Ramic tha se bashkëpunimi i mirë mes Lux-Dev dhe MSh-së, ka qenë lehtësim për realizimin e projekteve me sukses.

Z. Rouffe, është falënderuar për pritjen dhe po ashtu ka shprehur mbështetjen e tij sikurse paraardhësi i tij, për projektet e zhvilluara në kuadër të shëndetësisë deri më tani, por edhe për projekte të tjera të reja të cilat mund të shërbejnë në përmirësimin dhe fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Ndryshe, Qeveria e Luksemburgut është një prej kontribuuesve më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë në Kosovë.