Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani priti udhëheqësit e Odave të Profesionistëve Shëndetësor

Prishtinë, 13 korrik 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në një takim të përbashkët Kryetaren e Odës së Mjekëve të Kosovës, znj. Zylfije Hundozi, Kryetarin e Odës së Farmacistëve, z. Zehadin Gashi, Kryetarin e Odës së Stomatologëve, z. Kujtim Shala, Kryetaren e Odës së Fizioterapeutëve znj. Dafina Ibrahimin dhe përfaqësuesen e Odës së Infermierëve znj. Fikrije Hasani.

Në takim u tha se është përmbyllur cikli i themelimit të pesë odave të profesionistëve shëndetësor, i paraparë sipas Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Republikën e Kosovës, po ashtu u bisedua edhe për punën që është bërë në procesin e bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë në Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe për koordinimin e hapave të mëtutjeshëm, që ky proces të përfundoj brenda afatit të paraparë.

Ministri Rrahmani u tha të pranishmëve se themelimi i Odave ka qenë një prej prioriteteve qysh në fillimin e mandatit të tij. Dhe tani që Odat janë themeluar, është obligim ligjor të bëhet bartja e kompetencave, nga MSh tek Odat, që do të jetë një ndihmesë e madhe për vetë Ministrinë e Shëndetësisë.

“Si rezultat i përkushtimit dhe seriozitetit tonë për krijimin e Odave, tani veçse kemi përfunduar themelimin e të gjitha odave të parapara me ligj, por kjo nuk do të thotë se puna jonë ka përfunduar, përkundrazi puna jonë më e madhe në bashkëpunim me ju, do të jetë gjatë bartjes së këtyre kompetencave nga MSh tek Odat”, tha Ministri Rrahmani.

“Andaj për të bërë më lehtë të realizueshme bartjen e këtyre kompetencave, MSh-ja dhe Odat duhet të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë detyrat, duke i ndarë përgjegjësit deri në finalizimin e tyre”, tha Ministri Rrahmani.

Kryetarët e odave njoftuan Ministrin Rrahmani, për punët që kanë përfunduar në formimin e organeve të odave si dhe vështirësitë e sfidat që i kanë hasur gjatë këtij procesi.

Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është e domosdoshme që të bëhet një bartje graduale e kompetencave nga MSh tek odat, duke u siguruar që këto kompetenca të barten në raport me ngritjen e kapaciteteve që do t’i bëjnë Odat për funksionalizimin e tyre si të pavarura.