Prishtinë, 13 .01. 2015
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot në një takim të përbashkët Kryetaren e Odës së Mjekëve të Kosovës, znj. Zylfije Hundozi, Kryetarin e Odës së Farmacistëve, z. Zehadin Gashi dhe Kryetarin e Odës së Stomatologëve, z. Kujtim Shala të shoqëruar nga nënkryetarët e tyre.
Në takim u bisedua për vazhdimin e procesit të bartjes së kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë në Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe për koordinimin e hapave të mëtutjeshëm, që ky proces të përfundoj brenda afatit të paraparë.
Ministri Rrahmani u tha të pranishmëve se një prej prioriteteve, gjatë mandatit të tij, do të jenë edhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor, ngase bartja e kompetencave të përcaktuara me ligj, nga MSh tek Odat, do të jetë një ndihmesë e madhe për vetë Ministrinë e Shëndetësisë.
“Për të bërë më lehtë të realizueshme bartjen e këtyre kompetencave, MSh-ja dhe Odat duhet të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë detyrat, duke i ndarë përgjegjësit deri në finalizimin e tyre”, tha Ministri Rrahmani.
Kryetarët e odave njoftuan Ministrin Rrahmani, për punët që kanë përfunduar në formimin e organeve të odave si dhe vështirësitë e sfidat që i kanë hasur gjatë këtij procesi.
Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është e domosdoshme që të bëhet një bartje graduale e kompetencave nga MSh tek odat, duke u siguruar që këto kompetenca të barten në raport me ngritjen e kapaciteteve që do t’i bëjnë Odat për funksionalizimin e tyre si të pavarura.