Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani vizitoi Institutin “Giannina Gaslini” në Itali

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kosova, i udhëhequr nga Ministri Rrahmani kanë biseduar me drejtuesit më të lartë të “Institutit Giannina  Gaslini”, për bashkëpunimin dhe implementimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit midis MSh-së dhe këtij instituti, që lidhet me  ofrimin e shërbimeve shëndetësore për sëmundjet malinje të gjakut për fëmijët kosovarë

Prishtinë, 9 mars 2015

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë të kabinetit të tij dhe i shoqëruar edhe nga drejtori ekzekutiv i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dr. Curr Gjocaj, kanë realizuar një vizitë pune në Institutin “Giannina Gaslini” në Gjenova të Italisë.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kosova, është pritur nga drejtuesit më të lartë të “Institutito Giannina  Gaslini”, me ç’rast me ta është biseduar për bashkëpunimin dhe implementimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit midis MSh-së dhe këtij instituti si dhe për aktivitetet e përbashkëta, që lidhen me ofrimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët kosovarë me sëmundje malinje të gjakut në këtë institut.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kosova ka vizituar disa prej klinikave kryesore të këtij instituti,  me fokus Kardiokirurgjinë, Kardiologjinë, Kujdesin Intensiv, Neonatologjinë, Hemato-Onkologjinë dhe të Transplantimit të qelizave të palcës, Gjinekologjinë, etj.

Ministri Rrahmani ka shprehur falënderimin e tij për ndihmën që ky institut italian ka dhënë në trajtimin e disa fëmijëve nga Kosovë për sëmundje të rënda, kryesisht sëmundje malinjë të gjakut siç janë leukemitë.

Midis delegacionit nga Kosova dhe nikoqirëve të kësaj vizite janë përcaktuar edhe orientimet për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë, prej të cilit përfitues të drejtpërdrejt do të jetë sistemi shëndetësor i vendit dhe pacientët që kanë nevojë për trajtimin e disa sëmundjeve të rënda, për të cilat shërbimet shëndetësore në Kosovë nuk kanë arritur ende të funksionalizohen në tërësi.