Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani vizitoi Komunën e Pejës dhe institucionet shëndetësore atje

Prishtinë, 17 prill 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë qëndroi zot në Komunën e Pejës.

Ai realizoi një vizitë në Komunë, Qendrën e Mjekësisë Familjare të qytetit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, gjithashtu i shoqëruar nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Johann Brieger,  ai ka vizituar edhe Organizatën Joqeveritare “Duart plot mëshirë”, ku aktivistët e saj e kanë njoftuar me aktivitete që kjo OJQ kryen në fushën e ecurisë së shërbimeve shëndetësore, sociale dhe edukative.

Gjatë vizitës në Komunën e Pejës, ministri Rrahmani është pritur nga nënkryetari z, Shkumbin Gashi dhe disa drejtorë të dikastereve komunale, të cilët e kanë njoftuar me punët që kryhen në komunë e në veçanti në punët e sektorit të shëndetësisë, sfidat e saj në shëndetësi, ndërhyrjet në infrastrukturë, resurset humane që ka komuna dhe si në aspektin asaj që po punohet në rritjen e cilësisë për ofrimin e shërbimeve në kujdesin shëndetësore primar në këtë komunë.

Pas vizitës në Komunë, ministri Rrahmani ka vizituar QKMF-në e qytetit të Pejës, ku ka marrë pjesë në fillimin e një programi për aplikimin e insulinave për fëmijë diabetik, financuar nga komuna e Pejës.

Në këtë takim ministri Rrahmani, ka siguruar prindërit e këtyre fëmijëve që Ministria e Shëndetësisë, përmes programeve mbështetëse do të mundësoi që të prekurit nga diabeti të furnizohen me terapi, në mënyrë që jeta e tyre të zhvillohet normalisht.

Ndërsa gjatë qëndrimit OJQ “Duart plot mëshirë “, e cila ofron shërbime shëndetësore, sociale dhe edukative, brenda vitit, kjo organizatë e mbështetur edhe nga komuna ka bërë 7 000 vizita të të sëmurëve nëpër shtëpi të qytetarëve të komunës së Pejës, duke ju ofruar shërbime të ndryshme përkrahëse.

Ambasadori z. Brieger, ka falënderuar Komunën e Pejës për ndihmë që i kanë dhënë OJQ-së, “Duart plot mëshirë “, si dhe ministrin për vizitën për t’u njoftuar me punët që bëhen aty si dhe për gatishmërinë e ministrit që të siguroj përfshirjen më të madhe të personave që kanë nevojë për ndihmë në këtë aspekt.

Vizita e Ministrit në komunën e Pejës është përmbyllur me një takim me drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, dr. Skënder Dreshaj me bashkëpunëtorë, nga të cilët është njoftuar për punën që po zhvillojnë, me sfidat që kanë, planifikimet e ndryshme etj.

Në këtë takim ministri Rrahmani ka njoftuar zyrtarët e spitalit, për punën që është duke e bërë aktualisht në MSh, cilat janë prioritetet kryesore, investimet kapitale, çka po punohet për implementimin e  Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, trajnimi i profesionistëve shëndetësor për Sistemin e Informimit Shëndetësor, për punën e Odave të Profesionistëve Shëndetësor, përmbushjen më të mirë me furnizime të institucioneve shëndetësore me barna dhe material hargjues etj.

Ministri Rrahmani ka kërkuar që brenda sistemit shëndetësor të rritet disiplina dhe të bëhen planifikime sa më të mira, që me buxhetin ekzistues për qytetarët të ofrohen shërbime shëndetësore sa më të cilësore